Shpallet Çmimi Kadare 2016
Fondacioni Mapo shpalli Çmimin Kadare 2016 për prozën më të mirë shqipe me vlerë 10 mijë euro. Autori Shkëlqim Çela me librin me novela “Embriologji” u shpall fituesikëtij çmimi akorduar nga Fondacioni Mapo. Çmimi u shpall gjatë Ditëve Letrare të Razmës që u mbajtën në Razëm në datat 27–29 Maj organizuar nga Fondacioni Mapo dhe Universiteti Europian i Tiranës. Motivacioni i çmimit: për një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autorironije me një individualitet që u garanton këtyre tri novelave dhe autorit një hyrje në letrat shqipe. Gjatë 3 muajve që ishte hapur thirrja konkurruan 33 autorë, nga të cilët u kualifikuan 11 autorë, në short listën e fundit ishin 7 autorë; të cilat janë: Ada Çapi me “morPhina”, Arb Elo me “Ursa Major”, Bardhyl Londo me “Qyteti i pandehmave”, Grigor Banushi me “Simfonia e pambaruar”, Mustafa Nano me “Selam aleikum, baba”, Pranvera Bekteshi me “Ora me rërë” dhe Shkëlqim Çela me “Embriologji”. Juria ishte e përbërë nga shkrimtarë dhe kritikë; Diana Çuli, Ylljet Aliçka, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Agim Baçi, Gilman Bakalli dhe Alfred Lela. Në votimin final për fituesin juria u nda 4 me 3 ndërmjet Vera Bekteshit dhe Shkëlqim Çelës për tu finalizuar me dhënien e çmimit për autorin e “Embriologji”. Ceremonia për dhënien e çmimit “Kadare” do të mbahet në Tiranë disa dite më vonë.
Please follow and like us: