Teksas, përmbytjet shkaktojnë të paktën 3 viktima dhe dëme
Juglindja e Teksasit po bën llogaritë me përmbytjet e shkaktuara prej shirave të rrëmbyer të këtyre ditëve. Të paktën 3 vetë humbën jetën në Perëndim të Hjustonit, ku reshjet e së enjtes u dukën se nuk kishin të sosur.
Uji mbuloi të gjithë zonën e ekipet e shpëtimit janë nisur me varka për të ndihmuar njerëzit e bllokuar në shtëpitë e tyre. Një prej viktimave u gjet i mbytur në rulotën e tij, ndërsa një tjetër, trupi i të cilit u gjet i pajetë në makinën që ia kishin rrëmbyer ujërat, besohet të ketë ndërruar jetë nga një atak në zemër.
Sistemi i fuqishëm i stuhive në Teksas solli, përveç vërshimit të shfrenuar të ujërave, edhe një tornado, që shkatërroi me dhjetëra shtëpi e çoi në evakuime personash e mbyllje rrugësh. Edhe pse meteorologët parashikuan një pushim të kapriçove të motit përgjatë fundjavës, reshjet do të rikthehen në dhunshme në këtë zonë, duke nisur nga dita e martë.
“Nuk ke ç’i bën ujit tani, – tha për CNN-in eksperti Chad Myers. – Niveli i tij është në rritje dhe nuk ka se nga kalon, përveçse nëpër lagjet e banuara. Për Juglindjen e Teksasit, ky ka qenë një vit i tmerrshëm, pasi brenda vetëm dy muajsh ka pasur dy përmbytje madhore, kombinim ky që mund të ndodhë vetëm një herë në 500 vite”.