Albspirit

Media/News/Publishing

A ekziston Ligji i Luftës me Greqinë?

A ekziston Ligji i Luftës me Greqinë? Një dokument që përgënjeshtron z.Kotzias dhe jo vetëm atë
 

A ekziston Ligji i Luftës me Greqinë? Një dokument që përgënjeshtron z.Kotzias dhe jo vetëm atë

Gjatë vizitës së sotme në Tiranë, ministri i jashtëm grek Kotzias ka deklaruar se ligji i luftës me Shqipërinë nuk ekziston.

Ky është qëndrimi i përhershëm i ministrave grekë që vizitojnë Tiranën, po sa bazë ligjore ka ky pohim?

Në 15 tetor 2013 ish-ministri i Mbrojtjes i Greqisë i asaj kohe Venizelos ka thënë në Tiranë gjatë takimeve me zyrtarët shqiptarë se ligji i luftës me Shqipërinë, ose sic njihet ndryshe ligji 2636 i vitit 1940 është hequr që në vitin 1987.

Në kopertinën e një dite më pas DITA publikoi një shkresë që e hedh poshtë këtë deklarim të përsëritur sot në Tiranë edhe nga ministri i jashtëm aktual Kotzias.

Duhet thënë që kjo shkresë është e vetmja shkresë zyrtare që ka lënë një gjurmë të shkruar mbi një ligj me të cilin Athina zyrtare vazhdimisht ka “luajtur” duke u fshehur pas fjalëve dhe interpretimeve të kinse të ngatërruara juridike, pa lëshuar kurrë dokumenta zyrtarë.

Ky dokument me sa duket i ka shpëtuar “rregullit”. Dokumenti është një shkresë e Ministrisë së Jashtme greke, dërguar për Ambasadën e Shqipërisë në Greqi, në përgjigje të një shkrese të kësaj të fundit ku (me sa kuptohet nga përmbajtja) pala shqiptare ka pyetur nëse ligji i luftës është apo jo në fuqi.

Dhe pala greke përgjigjet: Ligji 2636 i vitit 1940 është në fuqi.Thuhet qartazi.

Dokumenti mban datën 28 qershor 1999. Pra 12 vjet pas vitit 1987, vit të cilin zoti Venizellos e citoi si datën e heqjes së ligjit dhe pengesave që sjell ai.

Pyetja është e thjeshtë: Nëse përfaqësuesi i lartë i shtetit grek deklaron në një vizitë zyrtare se ligji i luftës është hequr në 1987, si është e mundur që një shkresë zyrtare e vetë shtetit helen thotë qartë 12 vjet më pas që ky ligj ekziston?

shkres1 logo

Perkthimi i Shkreses

Republika e Greqisë
Ministria e Punëve të Jashtme
E3 DIDDY
F. 237/269

NOTË VERBALE

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Greqisë i paraqet mirënjohje Ambasadës së Republikës së Shqipërisë dhe duke ju referuar shënimit të Ambasadës Nr. Prot. 131, datë 18.6.1999 ka nderin të informojë Ambasadës e nderuar që Ligjet greke, Nr. 2636/1940 dhe 4506/1966 janë akoma në fuqi.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Greqisë përfiton nga rasti për t’i shprehur Ambasadës së Republikës së Shqipërisë konsideratat më të larta.

Athinë, 28 Qershor 1999

Dërguar Ambasadës së Republikës së Shqipërisë

Athinë (VULA e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë)

Dokumenti i botuar në DITA në tetor 2013

shkres 2 logo

Ligji i forcës 2636/1940 ose ligji i luftës Greqi-Shqipëri

Ligji me numër 2636/ 1940 është njihet si “ligji i forces” ose si ligji i luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë i miratuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Me pretendimin se Shqipëria kishte ndihmuar ushtrinë italiane kundër Greqisë, ligji u hartua nga ministri grek i Drejtësisë së asaj kohe, Ajis Tabakopullos dhe ai i Financave, Apostolidhis.

U dekretua më 10 nëntor të vitit 1940 nga Mbreti i Greqisë, Jeorjios B’. Në nenin 10 të ligjit u jepet e drejta personave të tretë që të përdorin pasuritë e paluajtshme të shtetasve të shpallur si armiq me ligjin e forcës.

Në këto pasuri futen tokat bujqësore, trojet, objektet, fabrikat, punishtet, llogaritë bankare, prona intelektuale, etj.

*faksimile lart – botimi i ligjit 26/36 ne 1940 ne Fletoren Zyrtare greke. Dokumenti i botuar në DITA në tetor 2013

Ish-Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Dimitris Avramopulos

Avramopulos në 2013: Ligjin e shuan vitet që kaluan

Në 5 nëntor 2013, gazetarja Rudina Xhunga e pyeti një tjetër ministër grek, atë të Mbrojtjes, z.Avramopulos mbi dokumentin e botuar nga  DITA në 15 tetor pas deklaratës së kolegut të tij Venizellos.

Më poshtë, pjesë nga intervista:

Zoti Avramopoulos, një çështje shumë e debatuar është ekzistenca e ligjit të luftës….

Dimitris Avramopulos: Ky ligj lufte, nëse ekziston diku duhet të themelohet. Ku bazohet? E do t’iu them se çfarë nënkupton. E para, në vitin 1986, Greqia dhe Shqipëria nënshkruan një traktat paqeje. Është diçka në kundërshtim me njëra-tjetrën që të kesh një traktat miqësie nëse ekziston një gjendje lufte…Ligji i luftës jo vetëm që nuk ekziston, por është shuar fare e i përket historisë.

Megjithatë, zoti ministër, kjo është një notë zyrtare e Ministrisë së Jashtme Greke e vitit 1999, e botuar në gazetën DITA, në të cilën shkruhet se ligji ekziston…

Dimitris Avramopulos:  Ju analizova që ligji si realitet nuk ekziston, pra nuk ekziston as në mendje e as në politikën tonë. Atë e shuan vitet që kaluan, marrëdhëniet e reja mes vendeve. Nëse do të kishte një ligj lufte, nuk do të kishte një milionë shqiptarë në Greqi, ashtu siç nuk do të kishte as minoritet grek në Shqipëri. Duhet të çbllakanizojmë Ballkanin dhe besoj se e kuptoni çfarë duam të themi. Prandaj, siç thashë më parë duhet të përfundojmë të gjitha këto cështje të cilat dalin dhe duket s’e nxjerrin në pah pengesa…

Please follow and like us: