Albspirit

Media/News/Publishing

Asambleja e NATO-s, Rama: Përfshirje të plotë të Ballkanit

Asambleja e NATO-s, Rama: Përfshirje të plotë të Ballkanit

Edhe kryeministri i vendit, Edi Rama, ka përshëndetur punimet e Asamblesë së NATO­-s që, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë mbledhje në kryeqytetin e Shqipërisë.

Kreu i qeverisë theksoi se “përfshirja e plotë e Ballkanit në NATO do të jetë një investim kapital për të mirën e rajonit dhe përgjigja më e qartë për ambiciet gjeopolitike të aktorëve të tjerë”.

“Anëtarësimi në NATO ishte historik dhe përcaktoi të ardhmen e re për Shqipërinë. Shqipëria është e interesuar që edhe Mali i Zi dhe Maqedonia të anëtarësohen në NATO. Integrimi i Kosovës, nuk është domosdoshmëri për vetë Kosovën, Ballkanin, por edhe për të gjithë familjen euroatlantike. Përfshirja e plotë e Ballkanit në NATO do të jetë një investim kapital për të mirën e rajonit dhe përgjigja më e qartë për ambiciet gjeopolitike të aktorëve të tjerë”, tha Rama.

Në fjalën e tij, teksa ka uruar për punime të mbara dhe ka theksuar se ata që patën mundësi të shohin aq sa mundën jashtë sallës, “besoj se kanë kuptuar se ky është një vend që ia vlen të rikthehesh”.

“Që kur skiza e madhe e ndau Europën në lindje dhe perëndim, e deri në 2009-n kur u bë anëtare në NATO, Shqipëria e shqiptarët jetuan ose më mirë të themi mbijetuan në një kufi shumë serioz të botës”.

Sipas kreut të qeverisë, për disa shekuj kufiri ishte bizantin, shumë të tjerë otoman dhe së fundi komunist.

“Kufiri që ndau botën e ka dominuar thellë profilin social, ekonomik dhe kulturor të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Anëtarësimi në NATO që ishte një lloj largimi i kufirit nga ne ka qenë një “bing-bang” historik që përcaktoi një të ardhme të re për popullin shqiptar për të ndërtuar prosperitet në kushte të qenësishme dhe të favorshme”, vijoi kryeministri.

“Uroj që kjo asamble në Tiranë të jetë sukses dhe falënderoj në mënyrë të posaçme kryetarin e delegacionit shqiptar në asamble, Pandeli Majkon, që me ardhjen tuaj këtu ka realizuar një ëndërr shumë të vjetër për të cilën jam dëshmitar, tani i mbetet që të realizoj dhe një ëndërr tjetër, një bazë të NATO-s në Shqipëri”­, tha Rama.

Meta: Shqipëria anëtare e aktive për sigurinë e përbashkët

Ka nisur punimet Sesioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po mbahet prej dy ditësh në Tiranë.

Në fjalën e tij, kreu i Kuvendit Ilir Meta ka deklaruar se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një anëtarë aktive e NATO-s, për sigurinë e përbashkët.

“Asambleja Parlamentare e NATO-s ka mbështetur Shqipërinë në anëtarësimin e saj që u bë së bashku me Kroacinë në 2009. Shqipëria do vazhdojë të mbetet anëtare aktive për t’u përballur me ato sfida shumëdimensionale të sigurisë që kemi, të konsolidojmë , të jemi më të fortë për sigurinë e përbashkët”, tha Meta.

Takimi bëri bashkë rreth 260 parlamentarë nga 28 vendet anëtare, nga Amerika e Veriut dhe Evropa, si dhe delegatë nga vendet partnere dhe vëzhgues, që diskutuan çështje te sigurisë ndërkombëtare aktuale.

Please follow and like us: