Faktet dhe analiza/ Saimir Tahiri pushon një polic në ditë
Katër ditë më parë, nga ministria e Brendshme u shpërnda një video lidhur me një punonjës policie i cili doli në pension dhe me këtë rast, ministri i Brendshëm i kishte organizuar një ceremoni të veçantë.
Kjo ceremoni ndaj një punonjësi policie, më shumë se sa një vlerësim për të u kthye në një reklamë për Tahiri ,të cilit i qante polici mbi sup. Por në fakt, për të kuptuar sa i dashur është Saimir Tahiri me policët dhe si i vlerëson ai ata, duhet parë me veprimet dhe analizat konkrete.
Citynews bëri një investigim dhe morri informacione në lidhje me punonjësit dhe oficerët e policisë të shkarkuar nga detyra nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe rezulton se nga shtatori i vitit 2013 deri më sot janë shkarkuar apo liruar nga detyra, jo për arsye të shkeljes së ligjit, afërsisht rreth 1 mijë punonjës policie.
Sipas këtyre të dhënave, janë rreth 500 oficerë policie të pushuar apo liruar në këto 3 vite. Janë rreth 460 punonjës policie të nivelit bazë të pushuar apo liruar nga detyra, 160 prej tyre janë vetëm së fundmi.
Mesatarisht, cdo ditë Saimir Tahiri, përfshi të shtunat dhe të dielat të pushojë një punonjës policie. Ndoshta këtë “masakër” të strukturave të policisë duke hequr 500 oficerë dhe 500 policë të nivelit bazë, ai e quan rikthim të policisë në detyrë. Lehtësisht kuptohet, se këto veprime të ministrit të brendshëm janë largime politike për të hequr ata blutë dhe për të sjellë Rilindjen. Në fakt, rezulton se në shumicë, oficerët e liruar nga detyra të jenë oficerë me eksperiencë të policisë, njerëz të shkolluar dhe trajnuar jashtë vendit. Shumë prej tyre janë specialistë dhe profesionistë, pa ngjyrë politike, por thjeshtë oficerë karriere.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, pushon një polic në ditë dhe kjo vlen shumë për të kuptuar se çfarë kurajo mund ti japë uniformave blu, kur çdo ditë një prej tyre mund të jetë i papunë dhe të hidhet në rrugë megjithëse ka qenë oficerë apo polic i thjeshtë dhe është përballur çdo ditë në betejën e krimit.
Janë njerëz që kanë mbajtur uniformë, kanë luftuar me krimin dhe për shkak se ministri nuk iu pëlqen origjinën, detyrën që kanë mbajtur gjatë qeverisë së djeshme, pa i vlerësuar në asnjë çast punën, i ka firmosur shkarkimet dhe largimet nga detyra. Në shifrën e përmendur nuk po përfshimë ndonjë polic të nivelit të ulët që rrallë, për shkelje të ligjit apo abuzime, shkarkohet nga detyra. Nuk bëhet fjalë për këtë kategori, por për oficerë karriere dhe policë të hequr në bazë thashethemesh dhe ngjyrimesh politike.
Dashuria e ministrit të brendshëm ndaj policisë së shtetit rezulton të jetë “koka e prerë” e një polici në ditë. Kemi dy beteja në fakt për të cilën nuk mund të heshtim. Një betejë të policisë me krimin dhe një betejë të Saimir Tahirit me oficerët dhe policët. Të gjithë, pa asnjë mëdyshje duan fitoren ndaj policisë, jo vetëm ndaj krimit, por edhe ndaj largimeve të padrejta politike të policëve nga detyra./citynews