Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Kadare, “Komandant i Legjionit të Nderit” në Francë

Ismail Kadare, “Komandant i Legjionit të Nderit” në Francë

5 janar 2016

 

Shkrimtari i shquar është ngritur në gradën e “Komandantit të Legjionit të Nderit”, titull ky i dhënë nga presidenti francez, François Hollande, në ceremoninë tradicionale që zhvillohet në ditën e parë të vitit e që u akordohet figurave të shquara në sfera të ndryshme publike qysh prej vitit 1802. Ky dekorim përkon edhe me 80-vjetorin e shkrimtarit.

 

Më 1 janar të këtij viti nga presidenti francez François Hollande u dekretua urdhri “Komandant i Legjionit të Nderit”, për Kadarenë, në ceremoninë tradicionale që zhvillohet në ditën e parë të vitit e që u akordohet figurave të shquara në sferave të ndryshme publike qysh prej vitit 1802.

Përveç shkrimtarit shqiptar, i cili jeton dhe e zhvillon karrierën e tij letrare prej vitit 1990 në Paris, nga bota e artit janë dekretuar komandantë të këtij legjioni shkrimtari francez 91 –vjeçar Michel Tournier, si edhe muzikanti Michel Legrand, ndërsa këngëtarja Vanessa Paradis ka marrë urdhrin e “Kavalierit të Legjionit të Nderit”.

Aktorja Mireille Darc u dekretua me urdhrin e oficerit. Emmanuelle Béart dhe Emmanuelle Bercot, që kanë marrë çmimin e interpretimit femëror në Festivalin e Fundit të Kanës janë emëruar kavalierë, ashtu edhe aktori Christophe Malavoy. Piktori Gérard Garouste u emërua oficer, ndërsa krijuesi i modës Kenzo Takada, u emërua kavalier si i huaj që jeton në Francë.

Ceremonia tradicionale, botuar në Fletoren Zyrtare, ka nderuar edhe viktimat e disa prej sulmeve të janarit të vitit 2015 si edhe heronjtë që penguan sulmin në një tren “Thalys”, i nisur nga Amsterdami drejt Parisit në fund të gushtit të kaluar.

Ndër njëzet figurat e nderuara, pesëmbëdhjetë janë nderuar me dekretin “Legjion i Nderit” pas vdekjes.

Në mesin e njerëzve të dekoruar në rangun e ‘Kavalierit’ janë karikaturistët Charb, Cabu, Honoré dhe Tignous, gazetarja Elsa Cayat dhe korrektori Mustapha Ourrad, të vrarë nga vëllezërit Kouachi më 7 janar të vitit 2015, në zyrat e Charlie Hebdo -së.

Dizajneri Georges Wolinski dhe kolumnisti Bernard Maris, të cilën gjithashtu vdiqën në sulmin kundër së përjavshmes satirike, ishin emëruar kavalierë, i pari më 2005-ën, ndërsa i dyti më 2014-ën.

Gazetari Michel Renaud, i cili ishte ftuar në redaksinë e Charlie Hebdo –së ishte dekoruar më 24 korrik dhe agjenti i mirëmbajtjes Frédéric Boisseau, i cili qëlloi në ndërtesë u dekoruan më 20 janar të vitit të shkuar, janë shpallur kavalierë.

Ceremonia e 1 janarit ka akorduar këtë urdhër edhe për katër pengjet e vrarë më 9 janarin e shkuar në marketin “Hyper Cacher nga Amedy Coulibaly; Philip Braham, Yohan Cohen, Yoav Hattabi dhe François-Michel Saada.

Ndër të dekretuarit kanë qenë edhe policët e vrarë gjatë sulmeve të janarit 2015 si Togerët Franck Brinsolaro dhe Ahmed Merabet, të vrarë më 7 janar në Paris, oficerja Clarissa Jean-Philippe, e vrarë 8 janar në Montrouge, të tre kalorës të dekoruar më 13 janar nga François Hollande, vitin e kaluar u emëruan kavalierë.

Edhe pesë persona që kanë ndërhyrë gjatë sulmeve si Eric Tanty, konduktori i trenit “Thalys” nga Amsterdami për në Paris, kapiten Michel Bruet dhe akademiku franko-amerikan Mark Moogalian, e të cilët ndërhynë gjatë të shtënave janë emëruar kavalierë.

Dispozita e atribuimit të Legjionit të Nderit për të huajt ka lejuar të dekorojë më 24 gusht tre amerikanët Spencer Stone, Alek Skarlatos dhe Anthony Sadler, si edhe britanikun Chris Norman që kishin ndihmuar në neutralizimin e njeriut të armatosur. Pengu i vëllezërve Kouachi në shtypshkronjë Dammartin-en-Gowle (Seine-et-Marne) Michael Catalano dhe punonjësi i tij Lepère Lilian, i cili kishte fshehur nën një lavaman, janë emëruar kavalierë. Lassana Bathily, punonjësi i “Hyper Chacher” që fshehu pengjet në dhomën frigoriferike në bodrumin e marketit nuk ka kaluar pa u dalluar. Ai ishte natyralizuar në javët në vijim sulmeve.

Nga bota politike, në këtë nderim civil që vlerëson më shumë se gjashtëqind persona, dy figura janë ngritur në rangun e ‘Kryqit të Madh’, më i larti i ‘Legjionit të Nderit’, duke përfshirë ish-kryeministrin Lionel Jospin. Ish-ministra t Thierry Breton dhe Lionel Stoleru janë promovuar komandantë dhe homologu i tyre Jacques Toubon, oficer.

Nga bota e ekonomisë dy drejtues të sipërmarrjeve emblematikë të French Tech, janë emëruar kavalierë: Eric Carreel, president i fabrikës Withings dhe Ludovic Le Moan, drejtor i përgjithshëm i Sigfox.

Gazetarët Laure Adler (oficer) dhe Jean-Marie Colombani (kavalier) ishin pjesë e vlerësimeve. Annette Chalut, presidente e komitetit ndërkombëtar të “Ravensbrück”, është lartësuar në nivelin e Oficerit të Madh.

Në botën sportive, Bernard Lapasset, president i Federatës ndërkombëtare të ragbisë është emëruar komandant. Ky dekretim është i fundit i tre dekretimeve kalendarike të vitit 2015, pas atyre të Pashkëve dhe 14 korrikut.

Gjithashtu, çdo vit shpallen edhe dy dekretime ushtarake. Që nga viti 2007, këto dekretime civile aplikojnë barazinë gjinore.

Themeluar nga Napoleon Bonaparti më 1802 –shin dhe akorduar për herë të parë më 15 qershor të 1804-ës, “Legjionit i Nderit” është më i larti nga vlerësimet kombëtare franceze dhe ka nëntëdhjetë e tre mijë anëtarë.

Çmimin në fjalë viteve të kaluara e kanë marrë figura të shquara ndërkombëtare si shkrimtari izraelit Amos Oz  kompozitori i shquar italian, Xhusepe Verdi, Princi Aleksandër i Serbisë, aktori amerikan Clint Eastwood etj. Me titullin “Legjion i Nderit” nga bota shqiptare është vlerësuar edhe përkthyesi i shquar Jusuf Vrioni.

Urdhri është dekorimi më i lartë në Francë dhe është i ndarë në pesë shkallë të ndryshme: Chevalier (kalorës), Officier (oficer), Commandeur (komandant), Grand Officier (oficer i madh) dhe Grand’Croix (Kryqi i Madh).

Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Më 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca, më 1996 u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë, më 2005 fitoi “Man Booker International Prize” dhe në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll Prince of Asturias, një nga çmimet letrare më prestigjiozë në botë.

Në vitin 2010 nderohet në Itali me çmimin “Lerici Pea”. Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Vitin e kaluar ai ka marrë edhe çmimin “Jerusalem Prize”.

Ismail Kadare ka lindur më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër dhe është shkrimtari më i njohur shqiptar. Është i përkthyer në 50 gjuhë të botës dhe është nominuar disa herë për çmimin “Nobel” në Letërsi.

 

Please follow and like us: