Albspirit

Media/News/Publishing

Jep dorëheqje kryenegociatori i opozitës siriane


Mohammed Alloush

Kryenegociatori i opozitës siriane, Mohammed Alloush, ka dhënë dorëheqje nga procesi i bisedimeve për paqe në Siri, i ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara.

Alloush, nga Komiteti i Lartë Negociator, ka thënë se bisedimet nuk kanë sjellë marrëveshje politike dhe nuk kanë lehtësuar gjendjen e sirianëve në zonat e rrethuara.

“Të trija rrethet e bisedimeve kanë qenë të pasuksesshme, për shkak të kokëfortësisë së regjimit dhe bombardimeve të vazhdueshme kundër popullit sirian”, ka thënë Alloush.

Komiteti i Lartë Negociator, i mbështetur nga Arabia Saudite, për muaj të tërë ka shprehur zhgënjim në lidhje me përparimin e bisedimeve të Gjenevës.

Ai ka kritikuar mungesën e ndihmave humanitare në zonat e rrethuara, lirimin e ngadalshëm të të burgosurve politikë dhe mungesën e lëvizjes drejt një tranzicioni politik në Siri, pa presidentin Bashar al-Assad.

Armëpushimi mbarëkombëtar midis rebelëve dhe forcave qeveritare, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, është ende në fuqi, por shkelet shpesh.

Dorëheqja e Alloushit mund të nxisë braktisje të tjera të grupit negociator.

Mbi 250,000 sirianë janë vrarë dhe 11 milionë të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë, prejse ka nisur lufta civile në këtë vend, në vitin 2011.

Please follow and like us: