Koncesioni për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit
Janë dy shoqëri që kanë kërkuar të marrin me koncesion mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit. Ministria e Transportit mbylli aplikimet, ndërkohë që hapja dhe vlerësimi do të bëhet në ditët në vazhdim.
Ofertuesit janë bashkime kompanishë “Vendeka-Bilgi” dhe “Catalys and Salillari”. Kjo është e disata herë që mirëmbatja e Durrës-Kukës tentohet të jepet me koncesion, jo vetëm nga kjo qeveri, por tenderat kanë dështuar për shkak të ofertave jo të kënaqshme.
Koncesioni është 30-vjeçar dhe parashikohet vendosja e një pagese prej rreth 5 euro për çdo automjet që kalon në 60 kilometrat e segmentit Milot-Morinë.
Sipas Ministrisë së Transportit, kostoja e mirëmbajtjes së rrugës është minimalisht 8 milionë euro në vit dhe dhënia me koncesion është formula më e mirë që këto para të mos rëndojnë taksapaguesit.
Kompania fituese duhet të investojë së paku 45 milionë euro, 15 nga të cilat për ndërtimin e një ure të re mbi Lumin Drin. Investimet e tjera parashikojnë plotesimin e e infrastrukturës së pandertuar nga Kukësi deri në Morinë, mirëmbajtjen e skarpateve dhe sinjalistikës.
Koncesionarit i është garantuar subvencioni deri në 4 mijë automjete në ditë në të dyja drejtimet, çka do të thotë se në qoftë se nuk sigurohet ky trafik, paratë për pjesën e mbetur do të paguhen nga buxheti i shtetit.
Për vitin e parë, shuma e garantuar është rreth 8 milionë euro dhe vazhdon me progresion rritës çdo vit deri në 14 milionë euro.
Nga ana tjetër përveç investimit, koncesionari duhet të ndajë fitimin me shtetin për taksën e kalimit nëse kemi rritje të trafikut ditor mbi kuotat e parashikuara.