Ministria e Milvës/ 17 milionë lekë për faqe interneti e merr kompania e lidhur me Beqajn
Agjencia Kombëtare e Turizmit, nën varësinë e Ministrisë së Ekonomisë ka zhvilluar një tender, fitues i së cilës është shpallur kompania “Fastech”. Kjo e fundit është akuzuar nga opozita se është thjeshtë një mbulesë për ish-kompaninë Intech, e themeluar nga Ministri Ilir Beqaj.
Tenderi është zhvilluar për ristrukturimin e portalit të Turizmit Shqiptar, i cili sipas dokumentit zyrtar të Agjencisë së Prokurimeve, ka një fond limit prej 2,490,000 lekë të reja pa TVSH.
Shpenzim me çmime mbi vlerën e tregut
Shpenzimi prej 24 milionë lek të vjetra i vënë në dispozicion nga Agjencia Kombëtare e Turizmit është tepër luksoz për ristrukturimin e një faqe interneti, pasi nëse do të marrim në konsideratë çmimet e tregut, portali me cilësinë më të mirë do të kushtonte 3000-4000 Euro. Siç duket edhe në dokumentin e mëposhtëm, tenderi është fituar me 17 milionë lekë ofertë, pra rreth 70% e vlerës së fondit limit.
Kompania fituese e lidhur me Ministrin Ilir Beqaj?
Në media dhe deklaratat politike të opozitës, fituesja e tenderit konkret, “Fastech” është akuzuar si e lidhur me ministrin Beqaj. Opozita e akuzon shpesh Ministrin Beqaj se pas ardhjes në pushtet, kompania e themeluar prej tij “Intech” ka përfituar 28 tendera, që kapin vlerën e 12 milionë dollarëve. Sipas Sekretares për Marrëdhënien me Publikun Grida Duma, nw njw nga daljet e saj, “Fastech” shërben si një mbulesë e “Intech”-ut në procedurat e prokurimeve publike. “E kanë rregulluar që të futen si bashkim operatorësh, ose që t’i marrë Fastech, pastaj librat e shitjes tregojnë se punët i bën Intech, pra paratë në fund i merr Beqaj.” do të deklaronte Duma në një prononcim për shtyp, ku e akuzonte “Fastech”-un, se në fillim të këtij viti kishte marrë 320 milionë lekë për një shërbim në Ministrinë e Jashtme.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit i akuzuar për korrupsion
Institucioni i cili ka zhvilluar tenderin për ristrukturimin e faqes zyrtare për turizmin shqiptar është Agjencia Kombëtare e Turizmit, e drejtuar nga Ardit Çollaku, dikaster i cili është nën varësinë e Ministrisë së Ekonomisë të drejtuar nga Milva Ekonomi. Çollaku ka mbajtur postin e Drejtorit të Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) deri në prillin e vitit 2014. Mediat në atë kohë shkruan se shkarkimi i Çollakut kishte motiv korrupsionin pasiv, abuzimin me detyrën dhe vepra penale ndaj stafit të agjensise. Të njëjtat media shkruanin se pas disa ankesash nga stafi dhe përfaqësues të biznesit në lidhje me ngacmime seksuale por dhe favore në këmbim të përfitimi personal, ish-Ministri Ekonomisë Arben Ahmetaj ka qënë i detyruar t’a shkarkojë nga detyra Ardit Çollakun. Ky nuk është i vetmi skandal i lidhur me Drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Po sipas mediave, Çollaku është hetuar nga prokuroria për korrupsionin e shitjes së diplomave, përfshirë edhe diplomën falso të Renzo Bossit.
Favorizimi i njerëzve të lidhur me pushtetin, tendera me fitues 100% të vlerës apo të tjera raste si ky tashmë po hasen në shumicën e institucioneve publike. Por rasti konkret mesa duket është i rrethuar nga shumë skandale: “luksin” për të përdorur paratë e taksapaguesve shqiptarë për një shërbim që mund të kushtojë shumë herë më pak se 17 milionë lekë të vjetra, kompania “Fastech” që është akuzuar nga opozita për favorizim dhe lidhje me ministrin Ilir Beqaj, si dhe zhvillimin e tenderit nga një institucion, drejtori i së cilës është akuzuar për korrupsion./citynews