Albspirit

Media/News/Publishing

Modelja 17-vjeçare që ëndërron të bëhet gjyqtare

Nga Anxhela Devole

Valbona Ponari është një 17-vjeçare, e cila ka pasion botën e modelingut dhe dëshiron të jetë pjesë e rëndësishme e saj. Pas pjesëmarrjes dhe kurorëzimit në “Miss World Beauty Queen Kosovo” nis edhe rrugëtimi i saj në fushën e modelingut. Ndryshe nga shumë vajza të tjera, ajo i ka të qarta mendimet lidhur me këtë fushë. Dëshiron pasarelat.

Të ngjitet në skenat botërore, pse jo. Edhe pse 17 vjeçe, Valbona është fokusuar në kompeticionet e bukurisë, dhe ka pasur mbështetjen e familjes, gjë që e ka ndihmuar për të arritur sa më lart. Në këtë intervistë, ajo tregon pasion dhe rrugëtimin e deritanishëm në fushën e modelingut. Si u bëre pjesë e botës së modelingut? Në fakt, ishte krejt rastësi. Vitin e kaluar, unë isha një ndër të përgjedhurat për të marrë pjesë në “Miss dhe Mister Durrësi”. Përzgjedhja u bë nga producentja dhe fituesit e vitit paraardhës në shkollën e mesme ku unë aktualisht studioj.

Të ka ndihmuar kurorëzimi për pjesëmarrje të tjera?

Sigurisht që po. Pjesëmarrja dhe më pas kurorëzimi si “Miss World Beauty Queen Kosovo” më kanë ndihmuar jo vetëm që të bëhem pjesë e botës së modelingut dhe pasarelave, por shërbyen edhe si shtysë e madhe për mua që të vazhdoj këtë rrugë.

Prej sa kohësh merreni me modeling?

Dashuria për modelingun dhe pasarelat ka nisur në një moshë shumë të vogël, por para një viti m’u dha mundësia të hedh një hap të vogël, por tepër të rëndësishëm për mua.

Duke qenë se je 17 vjeçe, a kanë qenë dakord familjarët e tu që të merrje pjesë në kompeticione bukurie?

Ekziston paksa frika për shkak të moshës, por prindërit më kanë shoqëruar gjithmonë dhe duke parë dëshirën e madhe që kam ndaj modelingut, kam pasur një mbështetje të madhe nga familja dhe falë tyre jam sot drejt suksesit.

Mendon se do të kesh të ardhme në këtë fushë?

Dëshira është që të kem sukses, por nuk mund të jap një përgjigje të saktë, pasi çdo gjë varet nga mënyra se si do të shkojnë gjerat. Gjithsesi, unë nga ana ime do bëj të pamundurën që e ardhmja ime në këtë fushë të jetë pozitive. Tashmë, pjesa më e madhe e vajzave e konsiderojnë veten modele, pas pjesëmarrjes në disa evente apo konkurse bukurie. Ti si e konsideron veten? Mendoj se, shpesh herë abuzohet me përdorimin e këtij termi. Mendoj se, rruga për t’u shndërruar nga një vajzë e thjeshtë në modele është mjaft e gjatë dhe e vështirë, por që gjithsesi rol luan edhe rëndësia e atij konkursi ku kam marrë pjesë dhe niveli i suksesit që arrin.

Si të etiketojnë njerëzit, si vajza e bukur apo si vajza e zgjuar?
Normalisht që për të qenë pjesë e botës së modës përveç zgjuarsisë, që për mua është mjaft e rëndësishme, një peshë të madhe ka edhe pamja e jashtme. Unë jam e bindur që mesi i artë arrihet. Personat që më njohin mirë, më etiketojnë si vajza e zgjuar dhe bukur, në varësi të situatës.

Cili është profesioni i të ardhmes tënde?

Gjithmonë më ka pëlqyer drejtësia dhe pse jo, e shikoj edhe si një profesion në të ardhmen.

Ke pozuar e zhveshur?

Jo, nuk kam pozuar asnjëherë.

Do të pozoje për famë?

Nuk mendoj se do të pozoja ndonjëherë.

A shfrytëzohen financiarisht vajzat modele në Shqipëri?

Mendoj që po, sepse duke bërë krahasime me këtë biznes jashtë Shqipërisë shikohet qartë dallimi në aspektin financiar. Në Shqipëri thjesht t’i nuk merr atë për të cilën punon, pra nuk kompensohesh financiarisht për punën e bërë.

Please follow and like us: