Albspirit

Media/News/Publishing

Operacion për rimarrjen e Falluxhës


Forcat irakiane të sigurisë filluan një operacion sot për të rimarrë qytetin e Falluxhës nga ekstremistët e Shtetit Islamik, duke goditur kështu bazën e tyre nga pika të ndryshme, sipas udhëheqësve ushtarakë.

Ndërsa fillojnë luftimet, ka shqetësime në rritje lidhur me gjendjen e vështirë të popullsisë civile të bllokuar brenda qytetit që kontrollohet nga Shteti Islamik.

Një javë më parë, forcat irakiane ndërmorën një operacion të gjerë që synonte rimarrjen e qytetit Falluxha, një prej bastioneve më emblematike të ISIS-it në provincën perëndimore, Anbar.

Përparimi i forcave qeveritare ka krijuar një mundësi për disa civilë që të largohen nga zonat periferike të qytetit dhe të përpiqen të arrijnë në zona të sigurta. Agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se është duke marrë raporte për vuajte të tmerrshme të popullsisë civile në Falluxha. Melissa Fleeming është zëdhënëse e UNHCR.

“Kemi njoftime dramatike të shtimit të numrit të ekzekutimeve të burrave dhe djemëve të rritur që refuzojnë të luftojnë për ISIL. Njoftime të tjera flasin se një numër njerëzish që u përpoqën të largoheshin janë ekzekutuar ose rrahur me kamzhik. Përveç kësaj, njoftohet për shumë njerëz të vrarë ose varrosur të gjallë në rrënojat e shtëpive të tyre ndërsa vazhdojnë operacionet ushtarake. Është absolutisht e nevojshme të hapen rrugë të sigurta që do të mundësonin popullsinë civile të qytetit që të shpëtojnë dhe të merrnin ndihmën e nevojshme për t’u shpëtuar jetët.”

Ndërsa rreth 800 njerëz ishin në gjendje të largoheshin, mijëra të tjerë janë të bllokuar. Burrat dhe djemtë e rritur që kanë mundur të shpëtojnë janë ndarë në grupe dhe dërguar në vende ku po merren nën shqyrtim nga forcat speciale të sigurisë. Falluxha ka qënë nën rrethim për gjashtë muaj, ndërsa ka patur qasje shumë të pakta ushqimesh dhe ilaçe.

Please follow and like us: