Pas Kubës, Obama i shtrin dorën e miqësisë edhe Vietnamit
Presidenti amerikan Barack Obama takoi të martën në kryeqytetin e Vietnamit Hanoi përfaqësues të shoqërisë civile dhe sipërmarrës para të cilëve se Marrëveshja e Partneritetit Ndërpaqësor do të nxisë ekonominë e vendit dhe do të përmirësojë gjendjen të drejtave të njeriut.
Obama theksoi se marrëveshja e arritur midis 12 vendeve do ta ndihmojë Vietnamin të reduktojë varësinë nga vetëm një partner tregtar.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë për të çliruar potencialin e plotë të ekonomisë tuaj nëpërmjet Marrëveshjes së Partneritetit Ndërpaqësor. Këtu në Vietnam, marrëveshja do t’ju lejojë të shisni më shumë e produkteve nëpër botë dhe të tërhiqni më shumë investime të reja. Marrëveshja kërkon kryerjen e reformave për të mbrojtur punëtorët dhe zbatuar shtetin e së drejtës. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për ta ndihmuar Vietnamin t’i përmbushë plotësisht angazhimet e tij. Dua të theksoj se president i Shteteve të Bashkuara e mbështet fuqimisht marrëveshjen. Vietnam do të jetë më pak i varur nga ndonjë partner një tregtar dhe do të gëzojë lidhje më të gjera me më shumë partnerë, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara.”
Marrëveshja e Partneritetit Ndërpaqësor është duke u shqyrtuar nga Kongresi dhe kundërshtohet nga kandidatët që udhëheqin fushatën presidenciale.
“Marrëveshja do të përforcojë bashkëpunimin rajonal dhe do të ndihmojë adresimin e pabarazisë ekonomike si dhe përmirësojë gjendjen e të drejtave të njeriut, duke siguruar paga më të larta dhe kushte më të sigurta pune. Për herë të parë këtu në Vietnam jepet e drejta për të formuar sindikata të pavarura pune dhe ndalohet puna e detyruar e fëmijëve. Marrëveshja do të ofrojë mbrojtje të fortë mjedisore dhe forcojë luftën kundër korrupsionit. Shtetet e Bashkuara, Vietnami dhe nënshkruesit e tjerë, do të duhet të veprojnë në përputhje me këto rregulla që kanë formuar së bashku.”
Hiqet embargoja e armëve
Shtetet e Bashkuara dhe Vietnami ranë dakord të hënën për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, dikur armike. Presidenti Obama shpalli gjatë vizitës fundin e embargos së armëve ndaj Vietnamit.
Pas një pritjeje zyrtare dhe bisedimeve dypalëshe në Hanoi, presidenti Obama dhe homologu i tij vietnamez, Tran Dai Quang, njoftuan në një konferencë të përbashkët për shtyp, heqjen e embargos së armëve.
Kjo ishte një dhuratë e shumëpritur nga Vietnami. Presidenti vietnamez Tran Dai Quang, e mirëpriti këtë veprim si fundin e një “kapitulli të dhimbshëm”.
“Vietnami e vlerëson së tepërmi vendimin e Shteteve të Bashkuara për heqjen e plotë të embargos së armëve ndaj Vietnamit. Ky vendim pasqyron normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes të dy vendeve,” tha ai.
Shtetet e Bashkuara po e thellojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes me Vietnamin, përfshirë dhënien e anijeve luftarake dhe stërvitjen e rojës bregdetare vietnameze.
“Ashtu sikurse me të gjithë partnerët tanë, shitja e armenëve duhet t’i nënshtrohet rregullave të caktuara, përfshirë ato që lidhen me të drejtat e njeriut; kjo do të sigurojë që Vietnami të ketë qasje ndaj pajisjeve që i nevojiten për t’u vetëmbrojtur dhe për të zhdukur gjurmët e mbetura nga lufta e ftohtë.”
Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara dhe Vietnami kanë mosmarrëveshje për të drejtat e njeriut dhe që çdo shitje armësh nga individë do të shqyrtohet rast pas rasti. Por shtoi se kjo është koha e duhur për heqjen e një embargoje mbi bazën e ndarjes ideologjike. Ai njoftoi një nivel të ri besimi dhe dialogu mes ushtrive të të dy vendeve dhe tha se mund të dërgohen anije të tjera amerikane në portin e Vietnamit “pas ftesës” së qeverisë së Hanoit.
Mes temave të tjera që do të bisedohen në Vietnam janë mosmarrëveshjet mbi Detin Kinës Jugore dhe zhdukja e pasojave për atë që presidenti Obama e quajti: “Trashëgimia e dhimbshme e luftës.”
Presidenti Obama dhe homologu i tij vietnamez, po ashtu njoftuan disa marrëveshje të reja tregtare dypalëshe, që kapin vlerën e 16 miliardë dollarëve. Shtëpia e Bardhë tha se tregtia mes të dy vendeve është trefishuar në shtatë vitet e fundit, duke arritur në 45 miliardë dollarë në vit.