Rama drejt divorcit me Idrizin, Dule rikthehet me PS
Edi Rama dhe Shpëtim Idrizi i PDIU-së pritet të firmosin divorcin e tyre politik në ditët e para të qershorit, për të shënuar rikthimin në koalicion të kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Burime diplomatike i thanë faqes tesheshi.com se vizita e ministrit të Jashtëm grek në Tiranë, Nikos Kocias, do t’i hapë rrugë një normalizimi të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Normalizim i cili vjen pas një acarimi të gjatë, që e ka burimin nga ardhja e Edi Ramës në pushtet.
Siç mësohet, gjithçka do të bëhet pas një acarimi të gjatë të Ramës me Shpëtim Idrizin, i cili, sipas të gjitha gjasave, në zgjedhjet e ardhshme do të bëjë koalicion elektoral me Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës.
Afrimi i PBDNJ-së tashmë lehtësohet edhe nga një faktor tjetër, nga largimi nga Kuvendi i Koço Kokëdhimës, i njeriut që grekët e kanë “halë në sy”, si pasojë e qëndrimeve të tij nacionaliste.
Vetë Vangjel Dule ka qenë në një mision të gjatë në Athinë, ku ka zhvilluar konsultime në ministrinë e Jashtme greke, përpara vizitës së kryediplomatit Kocias në Tiranë, që do të zhvillohet në datat 6 dhe 7 qershor.
Sipas axhendës, kthimi i shefit të diplomacisë greke do të bëhet me makinë, pasi të ketë një ndalesë të gjatë në fshatrat minoritare të Dropullit. Kësaj here Athina ka qenë shumë e kujdesshme, duke mos kërkuar një takim në zonën e Himarës, çka do ta trazonte më shumë situatën.
Vangjel Dule u largua nga koalicioni pas afrimit të PDIU-së me mazhorancën, dhe menjëherë e la postin e nënkryetarit të Kuvendit, një karrige që u zu prej Shpëtim Idrizit.
Kreu i PBDNJ-së pati edhe një takim me liderin e opozitës, Lulzim Basha, dhe shprehu mundësinë e bashkimit me opozitën. Por siç duket, udhëzimet kanë ardhur ndryshe…