Shqipëri-Greqi, “ligji i luftës ende në fuqi”
Ky dokument zyrtar i Ministrisë së Jashtme greke, dërguar ambasadës së Shqipërisë në Athinë në 28 qershor të vitit 1999, tregon qartë dyzimin e qëndrimit grek mbi ligjin e luftës. Shkresa e dërguar në gjuhën angleze, hedh poshtë deklaratat e një ditë më parë ministrit të Jashtëm, Venizelos, i cili tha se ligji i luftës është hequr nga Greqia që në vitin 1987.
Shkresa e ministrisë me datë 28 qershor 1999: “Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë, në përgjigje të shqetësimit të ambasadës shqiptare, deklaron se ligji numër 2636 i vitit 1940 dhe ligji me numër 4560 i vitit 1966 mbeten ende në fuqi.”
Historiku i kësaj shkrese nis pas gushtit të vitit 1987, kur qeveria greke e Papandreut e hoqi me dekret qeveritar ligjin e luftës me Shqipërinë. Por, kundërshtarë të tij e quajtën të pamjaftueshëm këtë akt duke thënë se një njohje e tille duhet të vinte vetëm me vendim parlamenti ose dekret të Presidentit.
12 vjet me vonë, qeveria shqiptare i kërkoi zyrtarisht palës greke që të kthente përgjigje nëse ishte hequr ose jo ligji në fjalë. Kjo kërkesë vjen tre vjet pasi ish-Presidenti, Sali Berisha, kishte firmosur në vitin 1996 Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Por ky dokument që është në arkivat e Ministrisë tonë të Jashtme i vitit 1999 tregon se, miqësia dhe bashkëpunimi janë ende nën hijen e ligjit të luftës.
Artikulimi me zë të lartë i diplomacisë shqiptare për ta hequr këtë ligj vjen për herë të dytë, pasi një kërkese të tillë, jo para medieve, i është bërë Greqisë dhe nga ish-ministri i Jashtëm, Edmond Panariti. Por kërkesa e qeverise shqiptare kërkon ta zhbëje edhe juridikisht këtë ligj, pra qe ta heqë parlamenti grek. Por ky hap do te sillte shumë pasoja, pasi me ligjin e luftës janë justifikuar shumë probleme siç është ai i çamëve, pronat dhe pasuritë e të cilëve nuk njihen nga pala greke. Por dhe me guximin e treguar një ditë më parë, sa do të jetë e gatshme qeveria shqiptare të përforcojë artikulimin për këtë çështje, për çamët dhe kufijtë detare, në kushtet kur Greqia në janar është vendi që merr presidencën e radhës në BE, e kur vendi ynë aspiron të marrë statusin e kandidatit në dhjetor.