Transformimi i Pekinit dhe sfidat e të huajve
Pas qëndrimit prej 5 vitesh në Pekin, Abdullah Ahdieh, një inxhinier softuerësh amerikan dhe bashkëshortja e tij Theresa Ahdieh po përgatisin valixhet. Ata po largohen nga Pekini për t’u rikthyer në SHBA, jo sepse nuk e pëlqejnë Kinën, por sepse ekonomikisht është bërë e pa përballueshme për ta.
“Kemi qëndruar në Kinë për 5 vjet, por gjatë kësaj kohe të ardhurat kanë mbetur të njëjta, ose dhe janë ulur, ndërkohë që kostoja për shkollimin e fëmijëve është rritur shumë,”thotë Abdullah Ahdieh. Çifti ka 2 fëmijë, një vajzë 17-vjeç dhe një djalë 10-vjeç.
Sipas një studimi të ri nga “UniGroup Relocation”, në vitin 2014 u larguan nga Kina dyfishi i të huajve, njoftoi Wall Street Journal në shkurtin e 2015-s. Studimi thotë se kjo ikje erdhi si rezultat i përfundimit të kontratave të punës, rritja e kostos së jetesës, ndotja e ajrit etj.
Ndërkohë, numri i amerikanëve që udhëtojnë drejt Kinës u ul me 22 për qind në 2014-n krahasuar me një vit paraardhës.
Për shkak të kostove në rritje dhe konkurrencës së ashpër me punonjësit dhe bizneset vendëse, shumë ekspertë të huaj ose kanë ikur ose po përgatiten të largohen. Ndërkohë shumë të tjerë besojnë se Pekini është ende toka e mundësive.
Ka shumë raste kur të ardhurat e ekspertëve të huaj tejkalojnë kostot e jetesës, pa harruar që Pekini u rendit pak muaj më parë si qyteti më i shtrenjtë në botë për qiratë e banesave.
Për çiftin Ahdieh, kostot për shkollimin e fëmijëve në Pekin janë ndër arsyet kryesore të vendimit për rikthimin në SHBA.
Nancy Palladino, një amerikane që punon si menaxhere pranë një shkolle ndërkombëtare ka jetuar në Kinë për 16 vjet dhe ka vënë re një rritje domethënëse të kostos së jetesës.
Ajo kujtoi se në vitin 1998, kur erdhi për herë të parë në Kinë, shumë ekspertë me përvojë të pasur erdhën në Kinë pasi kishin përftime të shumta, më pak taksa se në vendet e tyre, paga më të mira, qiratë paguheshin nga punëdhënësit etj, ndërsa sot këto përfitime sa vijnë dhe pakësohen.
Ndërkohë, Theresa Ahdieh thotë se rritja e kostove të jetesës është bërë një sfidë e madhe për shumë të huaj, pasi sot në Pekin kostot e banesave dhe ushqimit tejkalojnë kostot e vendeve nga vijnë ekspertët.
“Ky apartament këtu që tani është 20 mijë RMB në muaj ($3,076) kushton më shumë se kësti i kredisë së shtëpisë që ne kemi marrë në SHBA,” thotë ajo.
Nga ana tjetër, sipas ECA International’s 2015 nga sondazhi i kostove të jetesës për vitin 2015, Pekini u rendit si qyteti i dyti më i shtrenjtë në Azi, i ndjekur nga Shangai dhe më pas Seuli e Tokjo.
Një tjetër sfide e re për ekspertët e huaj është dhe konkurrenca e ashpër me vendësit.
Njëherë e një kohë të huajt mund të gjenin punë lirisht në Kinë, pavarësisht nivelit arsimor dhe aftësive të tyre, ndërsa sot ndryshon puna, në një kohë kur vendësit po studiojnë në universitetet më të mira të botës dhe kanë përgatitje dhe seriozitet tepër të lartë.
Palladino rikujton se kur erdhi për herë të parë në Kinë ishte tepër e lehtë të gjeje një punë në Kinë si i huaj. Për shumë pozicione pune, nuk kishte rëndësi nëse kishe edukimin e duhur apo eksperiencën.
“Sot është bërë më e vështirë për të gjetur një punë afatgjatë në Pekin, pasi janë shtuar edhe kërkesat e pajisjes me vizë pune,” thotë ajo.
Quane thekson se përmirësimi i aftësive dhe dijeve të vendasve, ul kërkesën për punësimin e ekspertëve të huaj.
“Kina punëson të huajt pasi nuk përmbush dot kërkesat me talente,”tha ai, duke shtuar se sa më shumë që trajnohen dhe fitojnë njohuri vendësit aq më shumë i konkurrojnë ata të huajt. Kjo gjë redukton dhe kërkesat për ekspertë apo kompani të huaja”.
Blake Stone-Banks, menaxheri i një agjencie këshillimore gjermane për Pekinin ka jetuar e punuar këtu për 10 vjet. Ai thotë se sot është më e vështirë se kurrë për bizneset e huaja në Kinë.
“Një arsye është se konkurrenca vendëse është tepër e fortë sot. Një tjetër arsye është se sot Kina është më e fortë se kurrë dhe ndihet tepër konfidente në vetërealizimin e gjërave”.
Por, Arion Franklin një grafist amerikan në Pekin e konsideron Kinën tokën e mundësive.
Ai erdhi në Pekin në vitin 2012, menjëherë sapo përfundoi studimet master gjeti punë në Kinë. Ai zgjodhi Kinën pasi besoi se do të kishte më shumë mundësi punësimi se në SHBA.
“Mendoj se ende vazhdon periudha e artë për të huajt në Pekin,” thotë Franklin.
Palladino shton se edhe pse kostot janë rritur, ende fiton më shumë para sesa në vendin e saj, duke pasur një jetë më luksoze deri tek punësimi i një kujdestareje për fëmijët e saj.
Quane shton se nga përvoja është parë se hendeku i afësive dhe i pagave mes të huajve dhe vendësve është reduktuar.
Me këtë është dakord dhe Stone-Banks.
“Nuk mjafton vetëm të jesh i huaj,” thotë ai. “Duhet të jesh talent.” (Albana)