Albspirit

Media/News/Publishing

Vepër që thyen Zotin

Orgji-kopertina ballore, okNga Kliton Nesturi

(Shënim për romanin e Leonard Veizit “Orgji në famullinë e at Ludovikut”)

“Bota është teatër ku secili ka një rol”. Shekspir

Ndryshe nga teatri ku diskutimet nisin pasi shfaqja ka mbaruar dhe perdja është ulur, në letërsi, për një vepër që ka parë dritën e botimit perdja nuk ulet kurrë. Ajo qëndron gjithnjë e hapur, për deri sa kohë vepra ekziston. Vetëm kur ajo asgjesohet krejtësisht, mbi të bie heshtja. Askush më pas nuk mund t’i referohet drejtpërdrejt. Kjo është tragjike, por sot, nuk po flas për këtë. Mendoj se të paktën në epokën moderne, nuk duhet të flitet apo të ndërmendet asgjesimi i një vepre letrare. Periudha e inkuizicionit dhe linçimeve të tjera thuhet se ka përfunduar. Pikërisht, perdja e hapur për veprën e Leonard Veizit “Orgji në famullinë e at Ludovikut” më jep të drejtën mua që të shkruaj për të, pavarësisht se ka kaluar pak kohë prej botimit të saj nga “Omsca-1”.

Qysh në fillim dua të them se romani “Orgji në famullinë e at Ludovikut”, është një vepër e strukturuar bukur, me një shkallë të lartë të ndërtimit kompozicional, me gjuhe artistike të pasur dhe stil të zhdërvjellët. Por, ky këndvështrim nuk do të jetë mbi ndërtimin, formën, gjetjen dhe stilin.

I vendosur në një qytet të vogël, por të mbushur me mëkate, në qendër të ngjarjes qëndron boshti i marrëdhënies mes atit (Ludovikut), birit (Vikut) dhe shpirtit – nënës së tij (Evës). Një bosht i krijuar si pasojë e një historie sa mëkati dhe dashurie, e mbajtur fshehtë për shumë kohë, një prej atyre historive të cilat mendon se nuk do të ndriçohen asnjëherë, por do të mbeten të fshehura sa nën veladon, aq edhe nën lëkurë. Një histori ku ndërthuret bashkëekzistenca dhe mosekzistenca e një marrëdhënieje të fortë, një dashuri pa tokë e familje, por kryesisht e shpërndarë në eter; një marrëdhënie kujdesi e ndërtuar hap pas hapi mbi kode, shenja dhe vështrime. Viki, produkti i kësaj dashurie mëkatare, duke humbur boshtin e tij me vdekjen e Evës, ndihet sa i lodhur, aq dhe i pambrojtur dhe i zhgënjyer. Ai nuk është si gjithë të tjerët dhe kurrë nuk do të jetë si ata. Në jetën e tij tashmë nuk ka bosht. Kriza e identitetit të tij është e thellë aq sa zhgënjimi e çon drejt hakmarrjes, shndërrimin në një kriminel dhe zjarrvënës. Personalisht, pavarësisht se jam ateist, nuk jam për djegien e tempujve, të cilitdo besimi apo kulture fetare qofshin. Por djegia e famullisë, në këtë rast, është pasojë e një zhgënjimi të thellë prej dogmës dhe mungesës së dashurisë. Çdo hap i tij në këtë vepër është i justifikuar, duke na kujtuar vargun e famshëm: “Aty ku nuk ka dashuri, fjalën njeri mos e fol!” Edhe kryerja e orgjisë ka të bëjë me zhgënjimin, me revoltën, dëshirën për ta shndërruar dhe për t’i dhënë shtëpisë së Zotit një këndvështrim të ri, atë të një strehe të zakonshme ku hyjnë e dalin mëkate, e ku vet njerëzit që shërbejnë aty jetojnë të përlyer në thellësi me mëkatin. Pavarësisht se ngjarja ndodh në një qytet të vogël, ajo është refleksion i krizës që ka mbërthyer me kohë shoqërinë dhe fenë. Aty është shteti në miniaturë, njerëzit, familjet dhe ngjarjet që zhvillohen aty janë ato që ndodhin kudo. Kudo është qeliza e shoqërisë. Kudo frymohet, dhe jetohet kudo, pavarësisht nga përmasat e vendit, skenës dhe tempullit.

Pavarësisht vështrimeve të ndryshme, mendoj se thellë-thellë të gjithë duhet të bashkohemi në një pikë kur diskutojmë për këtë vepër: ajo është një revoltë ndaj dogmës dhe Zotit. Dikush mund të thotë, se një prift i një famullie të vogël, nuk mund të përfaqësojë Zotin. Po, a nuk është ai përfaqësuesi i tij? Faktet e reja që po dalin në dritë herë pas here, e veçmas kohëve të fundit, e kanë zbehur së tepërmi rolin e fesë, historinë dhe vet ekzistencën e Zotit. Për shumë njerëz, kudo nëpër botë, ai është një Godo, i cili nuk vjen (shihet) kurrë.

Shumë mund të thonë se “Orgji në famullinë e at Ludovikut” u adresohet vetëm të krishterëve dhe se Zoti nuk është vetëm i kryqëtarëve.

“Në emër të Allahut dua të të shijoj!”

Ky mesazh është publikuar para disa kohësh në faqet e shtypit dhe në portalet e ndryshme. Atë e ka shkruar një klerik i lartë musliman shqiptar, (pak rëndësi se në cilën pjesë të hapësirës shqiptare) dhe i adresohet një besimtareje të re, aspak në lidhje gjaku apo familjare me të. Ky mesazh telefonik nuk është as më shumë dhe as më pak se sa një ftesë për mëkat, apo gjynah, sipas zhargonit musliman. Ky njeri, i veshur me petkun e përfaqësuesit të Zotit në tokë, në mënyrë cinike shkel rregullat, ligjet dhe normat e fesë që përfaqëson, pasi me Kur’an, ndalohen dhe dënohen marrëdhëniet jashtëmartesore. Burrit, përfshi këtu edhe klerikun, i lejohen martesat me shumë gra, (jo më shumë se katër), por jo afera të tilla, të cilat nuk i falen edhe nëse ai është besimtar i rregullt, falet sipas riteve apo edhe kontribuon për xhaminë dhe njerëzit në nevojë.

Nuk është çudi që në këtë histori, të mbetur në tentativë të kishim një “Orgji…” në një dimension tjetër, në një fe tjetër nga ajo e krishterëve. Me epshin e tij ndaj besimtares së re, ky klerik do ta çonte qejfin deri në fund; nuk do të përdoret masa mbrojtëse (sepse nuk ia lejon feja) dhe nuk do të tërhiqej deri në shfrimin e fundit. Dhe nëse kjo do të ndodhte, do të kishim një lindje të re, një Viki të quajtur Xhihan, apo Jadëz, në vend të Evës do të kishim Havanë, apo ndonjë emër tjetër, ndërsa në vend të at Ludovikut do të ishte ky klerik me tespie në dorë, që thyen vet dogmat e fesë së tij.

Ky nuk është rasti i vetëm që ka ndodhur me klerikët shqiptarë. Të tilla histori kanë ndodhur shpesh, janë përfolur e janë rrëfyer edhe një shekull më parë, edhe para Luftës së Dytë Botërore, edhe… atëherë kur telefonat celularë dhe sms-të nuk ekzistonin. Por këto nuk ndodhin vetëm në hapësirën shqiptare. Kudo, në në gjitha skajet e botës buletinët e ndryshme janë të mbushura me skandale klerikësh dhe histori të tilla. Madje edhe të klerikëve më të lartë apo në manastiret dhe tempujt e famshëm. Kjo ka bërë që, herë pak nga pak, e herë në mënyrë të menjëhershme, shëmbëlltyra dhe dogmat e Zotit të thyhen te njerëzit e thjeshtë, duke marrë shkas nga mëkatet e njerëzve që i shërbejnë atij, e duke thyer kështu edhe mitin e ekzistencës.

Të gjitha këto më shtyjnë të them se romani i Leonard Veizit “Orgji në famullinë e at Ludovikut” u adresohet të gjithëve pa përjashtim, të gjithëve njësoj.

Perdja qëndron e hapur

Është hera e parë që në letërsinë shqipe kemi një vepër të tillë, një vepër që e thyen Zotin si në gjuhë, po aq edhe në koncepte. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse “Orgji në famullinë e at Ludovikut” kaloi disi në heshtje dhe pa debat. Njerëzit, veçanërisht shqiptarët i shmangen diskutimeve mbi çështje të tilla me përmasa të mëdha. Për ta, më e lehtë është të heshtin apo të zhyten në mëkat se sa të diskutojnë dhe të polemizojnë për tema që prekin drejtpërdrejtw ekzistencën sot dhe në të ardhmen të shoqërisë njerëzore. Shqiptarët, deri më sot kanë dëshmuar se e shohin më të udhës për t’u marrë me gjëra të lehta dhe diskutime që fillesën e tyre e kanë nga përtej kufijve, se sa të shohin, të reflektojnë dhe të reagojnë mbi problemet dhe shqetësimet me të cilat është e mbushur jeta e tyre. E kemi më të lehtë kur gjërat na i thotë një i huaj, atë e pranojmë me lehtësi.

Megjithatë, pavarësisht kësaj shmangie, për deri sa kemi veprën, edhe në këtë rast, perdja vazhdon të mbetet e hapur.

 

Please follow and like us: