Vijnë sinjalet e para për normalizimin e marrëdhënieve Rusi-Turqi
Ankaraja zyrtare ka pritur me nota pozitive deklaratën e bërë nga Vladimir Putin gjatë vizitës në Athinë për rregullimin e marrëdhënieve me Turqinë.
Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se nuk është Turqia ajo që ka dëshirë të prishë marrëdhëniet me Rusinë.
“Mos erdhi gjë ndonjë hap pozitiv nga Zoti Putin dhe ne demonstruam një qasje negative?!”, tha Presidenti Erdoan në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve gjatë kthimit nga vizita në Diyarbakir.
Pyetjes së gazetarëve se çfarë mendonte për deklaratat e Putinit gjatë vizitës në Athinë, ku kishte thënë “Duam ti ndreqim punët me Ankaranë, presim hapin që do të hedhë Ankaraja”, Presidenti Erdoan iu përgjigj me këto fjalë: “shkelja herë pas here e hapësirë tonë ajrore është një çështje që ia kishim përcjellë edhe Putinit në Samitin e G20-s (që u mbajt në nëntor të 2015-s në Antalya). Madje ata (rusët) kishin provokuar edhe anijet tona në det të hapur. Në praninë time Zoti Putin iu kthye Lavrovit (Ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë Sergey Lavrov) dhe i dha direktivën duke thënë “Këtë çështje do ta zgjidhim”. Vetëm se disa ditë nga mbajtja e këtij takimi një avion i paidentifikuar shkeli hapësirën tonë ajrore dhe kur nuk iu përgjigj as paralajmërimeve tona u zbatuan rregullat e angazhimit”.
Por pala ruse incidentin e paraqet sikur është vrarë edhe piloti, gjë kjo që nuk pajtohet me të vërtetën, vijoi Presidenti turk.
“Në fakt piloti shpëton, por bie (me parashutë) në duart e opozitarëve të Sirisë. Kufomën e pilotit të vrarë e morën prapë ne pas negociatave. Dhe nuk u mjaftuam vetëm me kaq, siguruam që të kryheshin të gjitha ritualet fetare. Si rrjedhim ne si Turqi i kemi përmbushur të gjitha detyrat që na takojnë nga ky incident”, u shpreh Erdoan.
Ndërsa Zëvendëskryeministri dhe Zëdhënësi i Qeverisë, Numan Kurtulmus në informimin e mediave pas mbledhjes së sotme të qeverisë vlerësoi kërkesën e Vladimir Putin për të ndrequr marrëdhëniet me Turqinë e vlerësoi me këto fjalë:
“As Turqia nuk mund të heqë dorë nga Rusia, dhe as Rusia nga Turqia”, u shpreh Kurtulmus duke shtuar se ndërmjet dy palëve nuk ekziston asnjë pengesë e pakapërcyeshme dhe problem i pazgjidhshëm.