Albspirit

Media/News/Publishing

Botohet në Tiranë “Shqipëria dhe bota në veprat e Ismail Kadaresë”

  • Ilirian Agolli

Shtëpia botuese Plejad sapo ka nxjerrë nga shtypi studimin “Shqipëria dhe Bota në veprat e Ismail Kadaresë”.

Ky libër në dy gjuhët shqip dhe anglisht përmbledh të gjitha përshkrimet e natyrës, vendeve, qyteteve e fshatrave në Shqipëri dhe jashtë saj, që gjenden në veprat e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare.

Studimi ka marrë edhe trajtën e një albumi turistik, pasi çdo përshkrim letrar i Kadaresë shoqërohet edhe me fotografi të vendit, të cilit i është kushtuar.

Albumi me përshkrimet shqip e anglisht të shkrimtarit të njohur për një mori vendesh të Shqipërisë dhe botës, ku ndodhin ngjarjet e romaneve të tij është rrjedhim i një studimi të gjatë të autorit Ndriçim Kulla, kur shkroi biografinë e Ismail Kadaresë të titulluar “Ylli i Shkrimtarit”.

Zoti Kulla thotë se në këtë monografi, raportin e shkrimtarit Kadare me diktatorin Hoxha e sheh të ngjashëm me raportin e filozofit Seneka me perandorin Neron.

Studiuesi dhe drejtuesi i shtëpisë botues Plejad, thotë se Kadare u ndesh me diktaturën me të vetmin mjet që kishte në duar, me penën e tij, kundërshtia dhe disidenca është shtrirë në gjithë krijimtarinë e tij.

Kjo është arsyeja, thotë zoti Kulla, pse Ismail Kadare është autori më i njohur shqiptar brenda dhe jashtë vendit, me një ndikim të madh kulturor në botëkuptimin e disa brezave.

Shtëpia botuese Plejad ka botuar deri tani mbi 300 vepra të filozofisë botërore dhe të mendimit të ndaluar shqiptar nga diktatura komuniste.

Botimi më i rëndësishëm i saj është seria e 32 veprave të at Xhuzepe Valentinit, ndërsa 37 të tjera po përgatiten për shtyp.

Aktualisht po bëhen afro 6 dekada që shkrimtari Ismail Kadare vazhdon të botojë krijimtarinë e tij të gjerë e të larmishme në poezi e në prozë në shqip, frëngjisht dhe në shumë gjuhë të botës.

Ai tashmë është një autor i përmasave botërore, fitues i një seri titujsh dhe çmimesh me rëndësi ndërkombëtare dhe është nominuar shpesh edhe për çmime të tjerë, ndërkohë që krijimet dhe botimet e reja.

Please follow and like us: