Bunkeri nuklear i transformuar në një vilë luksoze, në shitje për 17,5 mln $
I ndërtuar tërësisht nën tokë, ai përfshin mure me trashësi 90 cm, një dhomë armatimi, një sistem TV prej 100 mijë dollarësh, madje edhe dushe dekontaminimi.
Këto foto tregojnë një shtëpi luksi që mund të përballojë çdo lloj sulmi, përfshirë edhe një shpërthim nuklear prej 20 kiloton.
Bunkeri i konvertuar në një vilë gjigante superluksoze, i vendosur afër savanës në Georgia, SHBA është i aftë gjithashtu t’i mbijetojë çdo lloj katastrofe natyrore, trazirave civile apo sulmeve terroriste. Tashmë ai është nxjerrë në shitje për një shumë prej 17, 5 mln USD.
I ndërtuar gjatë luftës së ftohtë në vitin 1969 nga forca të ushtrisë, bunkeri u rinovua tërësisht në vitin 2012, duke i përshtatur me standardet më bashkëkohore.
Ai është aktualisht bunkeri i vetëm nëntokësor i këtij lloji në pronësi private në Shtetet e Bashkuara.
Përveç funksioneve të tij “mbrojtëse” – që përfshijnë sistem ajrimi dhe qendër shëndetësore – bunkeri është i pajisur edhe me të gjitha elementët e nevojshëm për përdorim të përditshëm përfshirë ujë të nxehtë, panele diellore dhe sistem për kontrollin e lagështirës, thotë Bastion Holdings, që është duke shitur bunkerin.
Me një sipërfaqe prej 10 mijë metra katrorë, bunkeri ndahet në dy pjesë; pjesa e dytë përfshin 4 apartamente luksoze, secila me ambientet e veta, përfshirë kuzhinën, dhomën e ngrënies, dy dhoma gjumi, sallone dhe banja, ndërsa niveli i parë përfshin ambiente të përbashkëta argëtuese dhe rekreacioni, përfshirë një teatër të madh, një sallë lojërash dhe klasa mësimi.