Elize përulet për Kadarenë
Presidenti francez, Fransua Holland, i dorëzon titullin “Komandant i Legjionit të Nderit” shkrimtarit shqiptar
Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, është vlerësuar dje me titullin “Komandant i Legjionit të Nderit” në një ceremoni ku merrte pjesë dhe Kryeministri i vendit, Edi Rama, si dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Titulli i lartë iu dorëzua shkrimtarit nga vetë Presidenti francez, Fransua Holland, në pallatin presidencial “Elize”. Mediat franceze e kanë komentuar si tepër të veçantë mënyrën sesi Elize nderoi shkrimtarin shqiptar, duke nënkuptuar një domethënie të madhe për vlerësimin mbi atë çfarë Kadare përfaqëson. Pas ceremonisë Presidenti Holland ka ftuar të ftuarit në një koktej për nder të shkrimtarit shqiptar. Vlerësimi “Komandant i Legjionit të nderit” është një tjetër vlerësim që shteti francez jep për një nga figurat më të njohura të letërsisë botërore. Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi “Man Booker International Prize” dhe në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll “Prince of Asturias”, për Artet – që është një nga çmimet letrare më prestigjioze në botë. Në vitin 2010, Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin “Lerici Pea” “Dhënia e çmimit ‘Lerici Pea 2010’ autorit Kadare – shkruhet në motivimin e çmimit – nënkupton rolin e poezisë dhe letërsisë si instrument lirie, duke u bërë mbështetje për të gjithë njerëzit e botës, të cilëve u mohohen liritë themelore”. Qëllimi i çmimit është promovimi i poezisë, në veçanti i poetëve të rinj, eksperimentimi i gjuhëve të reja poetike dhe njohja e poetëve të mëdhenj. Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Vetëm pak javë më parë ai u nderua në Kosovë me çmimin “Azem Shkreli”, ndërkohë që më parë ka marrë dhe Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit. Kadare është fitues i çmimit të madh në letërsi “Man Booker Internacional Prize”, si dhe është nderuar me “Jerusalem prize” në vitin 2015, apo Princi i Asturias më 2009-n në Spanjë. Kandidat prej shumë vitesh i çmimit “Nobel”, Kadare është një ndër personazhet më të përfolura në fushën e letrave botërore. Pothuajse çdo javë mediat e rëndësishme botërore u kushtojnë vëmendje romaneve të tij. Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Po dje, në Paris, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit kulturor mes Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës e Komunikimit të Francës. Marrëveshja u firmos nga ministret Mirela Kumbaro dhe Audrey Azoulay. Shqipëria nuk ka pasur një marrëveshje kulturore me Francën, që nga viti 1988.