Gënjeshtrat bëjnë keq për shëndetin, rrisin stresin
Kërkimi është realizuar nga universiteti i ‘Notre Dame’, në Indiana: dhimbje koke, malinkoni dhe tension për të pasinqertët
Duket se përralla e famshme e Pinokut e paska një të vërtetë brenda vetes. Një studim i fundit tregon se duke gënjyer për një kohë të gjatë, i bëjmë keq shëndetit tonë. Studiuesit e universitetit të “Notre Dame” në Indiana, kanë përfshirë në një eksperiment 110 persona nga 18-71 vjeç, të cilët u monitoruan për 2 muaj e gjysmë, duke ‘kryqëzuar’ numrin e gënjeshtrave të thëna nga pjesëmarrësit gjatë një jave me mirëqenien e tyre fizike dhe shpirtërore.
Shkencëtarët arritën në përfundim se, sa më shumë gënjejmë aq më keq ndjehemi, jo vetëm nga pikëpamja psikologjike, por edhe nga ana fizike. Personat më pak të sinqertë sëmuren më shpesh, është më e lehë për ta të kenë dhimbje koke, dhimbje goje, të ndihen të depresuar apo të rënë moralisht.
Gjatë eksperimentit, pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe, njërit prej të cilëve iu tha që të mos gënjenin kurrë në asnjë rrethanë gjatë kohës së testimit, ndërsa grupi tjetër nuk u paralajmëruar për asnjë kusht, duke i lënë në një sjellje të natyrshme.
Në fund të eksperimentit u vu re se tek të dyja grupet, personat që nuk gënjenin jetonin më mirë.
Në rastin e këtyre personave, ‘zhdukeshin’ problemet mendore si tensioni apo malinkolia, por edhe ato fizike si dhimbja e kokës apo e gojës. Veç kësaj, tek personat që nuk gënjejnë kanë edhe sjellje shumë pozitive në raportet ndërpersonale.
Kështu, sipas studiueseve, të dish të thuash të vërtetën e ul në minimum nivelin e stresit, ndërsa një gënjeshtër e thënë krijon, edhe pavetëdijshëm, një konflikt të brendshëm duke u reflektuar pastaj në akumulimin e një tensioni të vazhdueshëm në jetën e përditshme.