Kadare në Elize, emocione dhe krenari
E papritura ndodhi. Presidenti i Republikës franceze Fransua Hollande nuk u mjaftua ta shpallte me dekret më 1 janar Ismail Kadarenë “Komandant të Legjionit te Nderit” francez. Ai vuri në lëvizje dhe levën e dytë por shumë të rrallë që Presidenti francez përdor në keto raste, dhënien personalisht të dekoratave në Pallatin e Elizesë ndërtuar nga Luigji i XV, që është sot vendi i punës dhe rezidenca e presidentëve të Francës. Gjesti i kësaj ceremonie personale sa e rrallë aq dhe protokollare, ka një domethënie të veçantë. Me këtë akt Presidenti i dëshmon të dekoruarit nderimin suprem të kombit francez.
Një shifër jep dimensionin e “të jashtëzakonshmes” që iu rezervua dje Ismail Kadaresë: bashkë me të, rreth tre mijë personalitete franceze nga të gjitha fushat figuronin në fletoren zyrtare të të dekoruarve për vitin 2015, por më pak se pesë syresh, ndër të cilët Kadare, kanë patur nderin ta marrin medaljen nga duart e vetë presidentit francez. Një kujtim i paharrueshëm për shkrimtarin tonë të madh, si dhe për ne, ai grusht i vogël bashkëkombasish që patëm nderin të asistonim në atë ceremoni. Janë këto emocione që dua të ndaj këtu me lexuesit.
Pallati i Elizesë, e hënë 30 maj
Me mendimet se çfarë fjalimi kishte përgatitur Hollande për Kadarenë, që do të ishte njëkohësisht i pari fjalim presidencial francez në histori për kombin shqiptar, hymë në Pallatin e Elizesë në orën e caktuar. Në të gjithë historinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Francë-Shqipëri, nuk ka patur asnjëherë shkëmbim vizitash zyrtare midis dy kryetareve të shteteve, si të vetmet momente kur presidenti francez mund të mbajë një fjalim për vendin që pret gjatë darkës zyrtare. U desh kjo ditë, dita e dekorimit të Kadaresë, që Salla e Festave të Pallatit të Elizesë të merrte një atmosferë shqiptare duke zhurmuar nga diskutimet dhe tokjet e gotave në shqip. Ndërkohë që Presidenti Hollande priste në zyrën e tij para ceremonisë kryeministrin Rama në një takim të shkurtër kokë më kokë, në zemër të presidencës franceze, gumëzhonte një përzierje simpatike ndërmjet të ftuarve të ardhur nga Shqipëria, të ftuarve nga komuniteti shqiptar në Francë dhe francezëve miq të apasionuar pas Shqipërisë dhe veprës së Kadaresë ndërmjet të cilëve ish-ministri i jashtëm Hubert Vedrine apo ish-ministri i Kulturës Frederik Miterrand.
Në mes këtij grupi të ftuarish të zgjedhur, rreth pesëdhjetë persona, qëndronte me modesti çifti Kadare nën peshën e emocioneve, por sa të kujdesshëm e buzagaz me secilin që afrohej për të kërkuar një foto me “mbretin e mbrëmjes” në zemrën e presidencës franceze. Dhe momenti i shumëpritur mbërriti. Shefi i ceremonive të pallatit të Elizesë lajmëron hyrjen e presidentit Fransua Hollande, i cili shfaqet i shoqëruar nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja franceze e Kulturës, Audrey Azoulay. Hollande ngjitet në podium dhe fton menjëherë aty krah tij, mjeshtrin e letrave shqipe Ismail Kadarenë. Eshte momenti kyç i mbrëmjes, momenti i fjalimit. Në sallën me abazhurat e rëndë ku në historinë e Francës kanë pritur dhe dekoruar dy Perandorët, Napoleoni i parë dhe ai i tretë, vendoset qetësia, një qetësi absolute…
Për Hollande, Kadare është ura lidhëse e Shqipërisë me Francën dhe Europën
Presidenti francez paraqitet me një tekst të shkruar para tij, por ai vendos ta lërë atë mënjanë dhe t’i drejtohet publikut me fjalët e veta. Një ushtrim guximtar, pasi ai do të flasë për një pjesë të historisë së Shqiperisë pa shënime. Por Hollande është i qetë, i sigurt, biles me shumë humor, karakteristikë e njohur e tij. Dhe që në fillim të fjalimit si gjysëm me shaka dhe gjysëm seriozisht, Hollandë thotë një të vërtetë që duhet medituar. Shqipëria, ky vend që nuk është më i madhi në botë, as më i njohuri në botë, as më influenti në botë na mbledh sot në Presidencën e Republikës franceze. Mesazhi si me të qeshur i Hollande, është se përse duhet të mobilizohet presidenti i fuqisë së pestë në botë, për një vend të “anonim”.
Sepse jeni ju, vazhdoi më tej Hollande, duke i drejtuar sy më sy Kadaresë që e bëtë Shqiperinë të njohur dhe të dashur për ne francezët. Falë jush, Shqipëria nderohet sot. E imagjioni atë Shqipëri të Enver Hoxhës, i drejtohet Hollande sallës duke e shqiptuar pa asnjë gabim emrin e ish-diktatorit, ku asnjë i huaj nuk mund të hynte dhe asnjë shqiptar nuk mund të dilte. Por diktatori që bllokoi gjithçka, nuk mundi ta bllokoi veprën e një gjeniu si Kadareja qe ajo të dilte jashtë kufijve. Eshtë falë këtij njeriu që francezët mësuan për Shqipërinë, falë librit të tij të parë që u botua në Francë, “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”.
Hollande përfitoi nga ky moment i fjalimit të tij për t’i bërë homazhe dhe dy personazheve të tjerë që e bënë të mundur që Kadareja të kishte akses tek lexuesit francez, Robert Eskarpi, ish-gazetar i Le Monde, i pari që e “zbuloi” Kadarenë dhe Jusuf Vrioni, që përktheu aq mjeshtërisht dhe besnikërisht veprën e Kadaresë. Fjalimi i Hollande, si një histori që e tregoi dhe në asnjë moment nuk e lexoi, ishte kështu një vajtje-ardhje e vazhdueshme midis historisë personale të Ismail Kadaresë dhe historisë së Shqiperisë, të pandashme njëra nga tjetra. “Ju i keni kënduar gjithmonë pavaresisë së Shqiperisë.Dhe Shqipëria që keni përshkruar ju, kështu është edhe sot në sytë tanë, një vend që e mbron me fanatizëm pavarësinë e saj, pavarësisht se ajo kërkon të hyjë në BE”, vazhdoi më tej Hollande. Presidenti francez gjeti këtu përsëri rastin të bëjë humor duke shtuar me qesëndi se “sigurisht ju shqiptarët nuk doni të hyni në Europë për të humbur pavarësinë, por disa gjëra të reja mund t’i mësoni ama siç mund të jenë rregulli, disiplina, puna në ekip …”. Ndërkohë që auditori qeshte, Hollande dukej sikur i shkelte nga larg syrin Edi Ramës që qëndronte si një kollonë tempulli në mes të publikut. Fundi i fjalimit të Hollande shkoi në formë kreshendo me superlativa për Ismail Kadarenë. Sipas Hollande i kushtohet atij kjo ceremoni ngaqë Kadare nuk i takon vetëm Shqipërisë, por dhe Francës dhe Europës. “Ju Ismail Kadare, në vendin tuaj jeni si një rapsod, që siç dihet përfaqëson një thesar kombëtar. Por unë e them këtu me forcë se ju jeni një thesar ndërkombëtar. Jeni shkrimtar avokat i Europës që e doni dhe e mbroni Europën më shumë se disa intelektualë që janë brenda Europës. Jeni shkrimtar i kujteses së shumëfishtë të Ballkanit. Ishit ju që në momentin kur shpërbëhej Jugosllavia patët guximin të thoshit se me ç’të drejtë disa e përvetësojnë Kosovën si djep të kultures së tyre, pasi ju mbronit idenë e një Kosove ku njerezit të kishin të drejtë të vendosnin për fatet e tyre. Ju jeni nje humanist i madh, po aq i rëndësishëm për shqiptarët sa dhe për Francën”. Dhe Hollande e mbylli fjalimin e tij me metaforën që duhet të na mbetet në mendje nga kjo mbrëmje e pazakontë në epiqendrën e pushtetit francez: “Çdo libër i juaj Ismail Kadare rrezaton kulturë. Dhe kur kultura rrezaton, është Franca që rrezaton. Prandaj ju na përkisni dhe ne, francezëve”.
Në mes të duartrokitjeve të nxehta, Presidenti Hollande i vari në gjoks shkrimtarit shqiptar medaljen e Komandatit të Legjionit te Nderit. Shkalla e parafundit më e larta e dekoratave franceze, po të lihet jashte klasifikimit, shkalla më e lartë, “kryqi i madh” me të cilën dekorohen kryesisht presidentët dhe ish-presidentët e Francës. Pas Fransua Hollande, Ismail Kadare mori shkurtimisht fjalën, për të thënë nga thellësia e zemrës sa shumë i prekur ndjehej në atë moment. Nuk mundi te fliste më tepër. Emocionet e shkrimtarit 80-vjeçar ishin tepër të forta. Por është një vepër e tërë, një jetë e tërë në shërbim të letrave shqipe dhe në shërbim të një ideje të pashoq të kombit shqiptar që flet për të, më mirë se çdo fjalim kortezie.
Mirënjohje të përjetshme Ismail Kadaresë! Dhe sa dekada të tjera do të na duhet tani, të presim që të shohim sërish një nga tanët të kurorëzuar në Sallën e Festave të Pallatit të Elizesë… Dhe një pyetje e fundit që s’do të rrokem ta bëj: dhe sa pushtete do të ndërrohen në Shqipëri deri sa ta vijë ai që do të kujtohet më në fund të krijojë rrjetin e qendrave kulturore shqiptare “Ismail Kadare” në shtetet kryesore të botës? Para borxheve ndaj FMN-së, i kemi borxh kujteses sonë kolektive që më shumë se kush sot e mishëron një emër dhe vetëm një, Ismail Kadare. Pasi ndryshe nga ç’e thotë proverbi, Kadare është absolutisht profet në vendin e tij!