Albspirit

Media/News/Publishing

Kur krimi bën si harraq

 


Kur krimi bën si harraq

Mikpritësit e Kotzias nuk kanë përse të jenë të kompleksuar nga Çështja Çame, përkundrazi ajo u jep një argument edhe më të fortë në tryezën e bisedimeve, ku kompleksi i inferioritetit kalon tek pala përballë. Ata vranë, pavarësisht se sot thonë që na ka dalë nga mendja ta kemi bërë”…

Nga Enkel Demi

Mediat afër qeverisë greke bëjnë me dije që sërish ministri i Jashtëm, Kotzias vjen në Shqipëri si sot java me të njëjtën ofertë bisedimesh; Çështja Çame nuk ekziston. U bë çerek shekulli që në vigjilje të çdo vizite diplomatike në Tiranë a Athinë i bihet veglës në të njëjtën brimë. Fakti që ka një Ligj Lufte ende të pashfuqizuar, madje më shumë se kurrë aktiv, rrëfen se Çështja Çame është dhe duket shumë problem për Greqinë. Fjala vjen, nëse dikush nga sipërmarrësit shqiptarë do të kërkojë të blejë një shitore a banesë në Filat (dhe atje kishte plot të lëna pas dore), nuk e blen dot. Arsyeja? Ligji i luftës, i cili pengon shitblerjet e pronave në një brez sigurie mjaft të gjerë, ku “rastësisht” përfshihet Çamëria. Nëse ky ligj nuk do të ishte në fuqi, çamët nuk do prisnin negociatat e Ditmir Bushatit apo të parardhësve të tij se dy pëllëmbë tokë sa për vorret e të parëve do i kishin blerë, pasi kanë aq katandi.

Çështja Çame ekziston politikisht. Ministri Kotzias vjen mysafir në një vend, ku Kuvendi ka aprovuar një rezolutë sak për këtë çështje. Do të takojë një ministër, i cili ka ardhur në pushtet me një forcë politike, e cila e ka përfshirë në programin e saj partiak, pra e rreshton në çështjet themelore. Vetë Kotzias lëshoi një nga sallat e ministrisë që drejton për një konferencë shkencore për punët e Epirit, ku flitet hapur për Çështjen Çame, ani se studiuesit grekë e shohin në një optikë krejt ndryshe këtë tragjedi. Rëndësi ka që për ta ekziston, ndasitë megjithëse janë të thella, nuk është vështirë t’i shuash.

Tani pas kaq vjetësh që sorrollatemi në një rreth vicioz, është në të mirën e dy vendeve ta shohin të vërtetën në sy; të flitet hapur për Çështjen Çame. Nuk mund të jetë më argument për fat të keq kolaboracionizmi i një popullsie që u shpërngul me forcë, duke i vrarë gra, fëmijë, pleq. Kreu i shtetit të Shqipërisë, Bujar Nishani sapo dekoroi luftëtarët e rezistencës çame dhe formacionet e tyre të rregullta antifashiste me rastin e 9 Majit. Në këtë krahinë është e rregjistruar lufta e famshme 55 ditore, e cila është e vetmja rezistencë frontale ndaj nazistëve, jo vetëm në Shqipëri. Lapidarin e keni në Markat të Konispolit, katund çam, ndër të paktit të mbetur nga ky kah i kufirit. Ka teza historianësh që gjyshi i vetë ministrit të Jashtëm ka qenë bashkëpunëtor i nazistëve, por ai në Shqipëri nuk ka përse të pritet si pinjoll i kolaboracionistëve, megjithëse Kostandin Kotzias me ushtarakët e lartë nazistë ishte goxha fotozhenik.

Mikpritësit e Kotzias nuk kanë përse të jenë të kompleksuar nga Çështja Çame, përkundrazi ajo u jep një argument edhe më të fortë në tryezën e bisedimeve, ku kompleksi i inferioritetit kalon tek pala përballë. Ata vranë, pavarësisht se sot thonë që na ka dalë nga mendja ta kemi bërë.

 

Please follow and like us: