Për burrat dhe gratë si gruaja e kokoshkave
Nga Reila BOZDO: Për burrat dhe gratë si gruaja e kokoshkave
Këtë javë historia gruas së kokoshkave ishte ngjarja që na tronditi të gjithëve. Zonja e kokoshkave u bë shpjeguesja më e qartë e marrëdhënies së deritanishme sipërmarrës i vogël dhe përfaqësues i pushtetit. Zonja e kokoshkave u bë edhe simbolika e njeriut që dëshiron të punojë e të jetë i/e lumtur me frutet e punës së vet.
Çdo moment i historisë së zonjës ka një mesazh që ta ngre shpirtin peshë. Ajo guxoi të shiste duke rrezikuar shkeljen e rregullave prej nevojës. Po tregtonte jo për tu pasuruar, as për të ngrënë bukën e ditës, por për më shumë se kaq: për të blerë ilaçet.
Shiste kokoshka. Nuk bënte thjesht tregti. Zonja kishte përfshirë në sipërmarrjen e saj të vogël edhe një proces transformues të të mirave. Kjo është shumë me kuptim për një ekonomist.
Zonja e kokoshkave, e cila i shiste e vetme kokoshkat, u ndalua nga 4 policë, të cilët ia morën karrocën duke e penalizuar për “krimin e saj të rëndë”. 4 policë përballë një zonje që shet kokoshka?! Ky raport forcash ka shumë kuptim për një drejtues. Pse duhen 4 policë që paguhen me taksat tona në një rast si ky?! Natyrisht që nuk duhen, por kur ata janë shumë përgjithësisht kuptojmë “rëndësinë e problemit”. Kë po shqetësonte kaq shumë gruaja e kokoshkave sa aty të ishin në gjendje pune 4 policë? Kujt po i prishte punë zonja e kokoshkave? Mos ndoshta po cenonte “estetikën e shkallës sipërore” të qytetit tonë të dashur?!
Gruaja e kokoshkave që atë ditë ndezi zemrat e shumë mbështetësve të cilët donin ta ndihmonin financiarisht, sidomos pasi ajo tregoi historinë e jetës së saj. Me dinjitetin e një zonje, gruaja e kokoshkave nuk pranoi të ndihmohej me para nga të tjerët. Ajo donte vetëm dhe thjesht, thjesht dhe vetëm, lekët nga puna dhe licencën për të punuar e qetë.
Si gruaja e kokoshkave, në Shqipërinë e përditshme ka shumë, gra edhe burra. Ata ndryshojnë nga njëri-tjetri nga artikujt që shesin, por fatin e kanë pak a shumë të njëjtë. Janë rënduar me taksa, dhunohen psikologjikisht ndërsa bëjnë biznes, dhe janë gjithnjë e më shumë të frikësuar se si do vejë kjo punë. Statistikat janë gjithnjë e më të zeza. 50% e bizneseve të regjistruara janë në status pasiv, dmth nuk kryejnë veprimtari, divorcet janë rritur 24% në 2015, vdekjet janë shtuar, lindjet janë ulur. Të gjitha këto janë derivate të politikave ekonomike. Kur shteti rëndon një sipërmarrës të vogël financiarisht dhe psikologjikisht, ai rëndon një familje ekonomikisht dhe nga pikëpamja sociale. Njerëzit dorëzohen, bizneset mbyllen, gratë sipërmarrëse rikthehen në gra shtëpiake, fëmijët e tyre rikthehen në rrugë. Efektet sociale të dërrmimit të biznesit të vogël janë shumë më të mëdha se sa 5-lekëshat që duan të mbledhin me dhunë “5-lekëshat e shtetit”.
Gruaja e kokoshkave e përkufizoi shqiptarin të cilin ata e njohin që ekziston, por nuk e shohin. Nuk e shohin sepse nuk u intereson.
Ndërkohë që pushteti i merr jetën çdo ditë më fukarait e më të vobektit, gruaja e kokoshkave me mbështetësit e saj i sfidoi 4 policët dhe shefat e tyre.
Gruaja e kokoshkave e sfidoi shtetin si sipërmarrëse, si qytetare, si grua, si e sëmurë në nevojë për mjekim. I sfidoi me një mjet të vetëm: punën dhe dinjitetin.