Profil/ Elvis Rroshi, shkëlqimi dhe rrënimi i emblemës së Rilindjes
Në moshën 36 –vjeçare, më 8 maj të vitit 2011, Elvis Rroshi i dha për herë të parë Partisë Socialiste në një bastion demokrat. Ai fitoi bashkinë e Kavajës, një zonë që historikisht kishte votuar për Sali Berishën si deputet dhe si kryebashkiakë, kandidatët e së djathtës për 20 vjet me radhë.
Zgjedhja e tij ishte surpriza e atij viti, që shihte Edi Ramën të zbriste nga “froni” i bashkisë së Tiranës pas 11 vjetësh.
Por entusiazmi i fitores zgjati pak. Pak ditë pasi ishte ulur në karrigen e kryetarit të Bashkisë, në fillim të qershorit 2011, Griselda, një vajzë me të cilën ai bashkëjetonte sajo një histori rrëmbimi dhe abordi të detyruar nga rrëmbyesit.
Çështja u politizua nga Partia Socialiste, drejtues të së cilës u mblodhën në shtëpinë e kryebashkiakut të ri për t’i qëndruar afër. Por në pak orë hetimet e policisë zbuluan se ishte një sajesë.
Zgjedhja e tij dhe kjo histori ishin dy ngjarjet më pikante mandatit të parë të Elvis Rroshit. Por fundi i atij mandati do ta bënte atë shenjestër të opozitës në betejën e dekriminalizimin.
Opozita e akuzoi atë se ishte pjesë e bandave të trafikut, se ishte i dënuar në disa shtete të Europës. Kur ambasadori amerikan Donal Lu deklaroi se në listat e kandidatëve për zgjedhjet vendore kishte të inkriminuar, Partia Demokratike e drejtoi gishtin menjëherë nga Elvis Rroshi.
Por kavajasi trupvogël që i kishte dhënë Partisë Socialiste fitoren në bastionin e Berishës u mor në mbrojtje pa vonesë nga Edi Rama.
“Më thanë që ka ardhur Luli këtu dhe ka bërë pyetjen si e quajnë Elvis apo Ervin Roshi. Unë kam një pyetje tjetër, si e quajnë kryetarin e PD, Sali apo Lul, se sa i përket kryetarit të bashkisë këtu, e quajnë Ervin apo Elvis, unë them që e quajnë qytetarin e parë të Kavajës… “Vini ka qenë 15 vjeç, kur bashkë me shumë 15-vjeçarë, e me shumë të rinj, që e braktisën Kavajën në momentin kur u hapën kufijtë dhe ikën së bashku me mijëra shqiptarë për të kërkuar rrugën e vështirë për një jetë më të mirë. Nuk ka asnjë mister në emrin e tij. Ashtu si mijëra të tjerë, që në vitet e vështira të emigrimit trajtoheshin si mos më keq dhe dëboheshin si emigrantë të paligjshëm, edhe ai ka qenë i dëbuar. Ajo që ka sot rëndësi është se, sot ai është i nderuar”, do të deklaronte Edi Rama më 19 qershor 2015 në takimin përmbyllës të fushatës elektorale në Kavajë.
Pavarësisht se i përzgjedhuri i tij ishte në “Listën Lu”, Edi Rama ia ofroi Kavajës si njeriun e duhur.
“Në Kavajë nuk ka nevojë të flasësh shumë. Mjafton të kesh sytë në ballë për të kuptuar gjithçka për të mos pasur as më të voglin dyshim se nga është drejtimi i duhur”.
Kavajasit e votuan Rroshin sërish. Por në vitin e parë të këtij mandate ai nuk pati qetësi. Opozita e artikuloi vazhdimisht emrin e tij si të zgjedhurin e parë të Edi Ramës në pushtetin lokal që do të prekej nga dekriminalizimi.
Edhe pse kundërpërgjigjej se këto ishin sulme të pastra politike, Elvis Rroshi nisi ta humbiste qetësinë. Ai nuk durote më që emri t’i përmendej në publik. Pak ditë më parë i dërgoi një mesazh kërcënues deputetit socialist, Ben Blushi. Ai e publikoi një pjesë të përmbajtjes në parlament.
“Meqë ka ardh sot kryetari i rilindjes, kam një pyetje direkte. Si ka mundësi që kryetari i Bashkisë së Kavajës, si ka mundësi që ka harruar se për çfarë është ndaluar në Gjermani. Tani do lexoj një mesazh që më ka ardhur: O Blush, jam Elvis Roshi, s’kam bo asnjë krim siç thatë ju. Shumë shpejt do dal për sqarim. Sa të kem qytetatin e Kavajës unë do jem këtu. Roshi më çoi mesazh duke më sharë e kërcënuar. Qëniet si Roshi janë të neveritshme, u shpreh Blushi më 19 maj.
I vënë në vështirësi nga kjo goditje e drejpërdrejtë e Blushit, Edi Rama refuzoi ta mbronte vetë këtë radhë të përzgjedhurin e tij, që e merrte shembull në tavolina si njeriun që dinte t’i zgjidhte punët dhe tregonte se si Visi, me një shkop bejsbolli në dorë, i kishte shkuar në shtëpi pronarit të një firme që kryente punimet në bashkinë e drejtuar prej tij dhe e kishte detyruar që t’i përfundonte ato në kohë. Por emblemë e Rilindjes dhe shembull të thyerjes së bastioneve të PD-së, të ndryshimit të shesheve historike, të mënyrës se si zgjidheshin hallet e qytetit, Elvis Rroshi do të duhej tashmë t’i bënte llogaritë vetëm me veten.
Rama po i distancohej, ndonëse u përpoq ta relativizonte kërcënimin e Blushit dhe përdori në këtë rast kreun e grupit të PS, Gramoz Ruçin, që tha se kërcënimi ishte çështje personale.
Elvis Rroshi, që po e shihte se edhe Rama po i largohej dhe po i kujtonte përmes Ruçit se tani çështjen e kishte krejt personale dhe aspak partiake, u përpoq sërish ta politizonte atë, duke thënë se po sulmohej nga Blushi për shkak se ai ishte në krahun e Rilindjes. Tha se Blushit i kishte dërguar mesazh për shkak se ai fliste me të njëjtën gjuhë si Berisha. Por Rilindja për të do të zgjaste edhe pak ditë. 12 ditë më vonë ai jep dorëheqjen. Pranon se ka qenë i dënuar në Itali në vitin 1991. Këtë nuk e kishte shënuar në formularin e vetëdeklarimit.
Elvis Roshi bëhet kështu i pari i përzgjedhur i Edi Ramës që largohet, pasi ligji i dekriminalizimit hyri në fuqi. Përpara tij, kur ligji kishte hyrë në hullitë e miratimit, nga parlamenti u largua po me dorëheqje, Arben Ndoka, një tjetër i pëzgjedhur i Ramës për të përfaqësuar Rilindjen në Lezhë.
Elvis Rroshi u soll nga Edi Rama në Partinë Socialiste, si njeriu që do t’i ndryshonte faqen Kavajës. Por Pesë vjet më pas ai largohet duke i kërkuar falje qytetit, duke i dhënë të drejtë zërave se Rama e kishte afruar atë në PS si shumë kriminelë të tjerë për të marrë dhe mbajtur pushtetin. Dhe jo vetëm kaq; ai poi ngrinte ata në piedestal, siç u shpreh socialisti Blushi, pa u shqetësuar se po ia nxinte faqen vendit: “Rama po e mban pushtetin me kriminelë. Ke ngritur llumin në piedestal. Pse po i’a nxin faqen vendit. Si e ka emrin Roshi, Ervin apo Elvis? Në të gjithë vendin ke vendosur njerëz me precedent penal, po terrorizojnë qytetet. Me këta njerëz që kur shkojnë në KQZ thonë: Jam dënuar, s’jam dënuar”.