Albspirit

Media/News/Publishing

“Shkrimtarët që denoncuan kolegët, ëndërrojnë kthimin e kohës së tyre”

Ismail Kadare ka dhënë një intervistë për revistën “Symbol” ku flet për disa çështje që lidhen kryesisht me letërsinë. Kadare është pyetur edhe për qëndrimin e intelektualëve shqiptarë ndaj radikalizmit fetar, që lexohet si një qëndrim i heshtur. Kadare e merr këtë çështje dhe e vendos në një plan të përgjithshëm që zë fill që me pedagogjinë e Rilindjes. “Ka shumë heshtje për të cilat qortohen intelektualët e sidomos njerëzit e letrave në Shqipëri. Qortimet shpesh janë të drejta, por jo përherë. Qëllimi i parë dhe kryesor i një letërsie është të përkryejë vetveten. Kjo përkryerje natyrshëm rrezaton në krejt atë që përbën pasurinë shpirtërore të një populli.
Për rolin e faktorit shpirtëror, thënë ndryshe, kulturës, ka pasur dhe vazhdon të ketë mendime të ndryshme. Për t’u kthyer te kulti që rilindësit shqiptarë i ngritën ndriçimit që vjen nga kultura, më saktë, nga Europa (andej “nga dielli perëndon”), kjo është e shpjegueshme për një lëvizje që zhvillohet në kushtet e territ të robërisë osmane. Ajo që nuk është e kuptueshme është ironizimi që përpiqen t’i bëjnë sot nihilistët tanë kësaj prirjeje.
Natyrisht që nuk është kultura që kushtëzon disa zhvillime bazike të një vendi, siç është ekonomia ose lufta kundër korrupsionit, por roli i saj në çështje të tjera, si ato të drejtësisë, është tepër i ndjeshëm. Janë të njohura lidhjet e letërsisë me drejtësinë dhe ndërgjegjësimin e fajit, rrjedhimisht me probleme të ditës që po mundojnë sot shoqërinë shqiptare, si hapja e arkivave të fshehta ose lejimi i pseudonimeve në shtyp, kësaj farse tragjike të lirisë së mendimit.
Duke përkryer vetveten, letërsia, për shembull, mund të japë një model për gjithë shoqërinë. Prania këmbëngulëse e ish bashkëpunëtorëve të Sigurimit në jetën e sotme letrare, jo vetëm krijon një konfuzion të pashembullt, por është një tallje publike me moralin. Në botë ka shumë gjëra të padurueshme, por meqenëse jemi në sferën e letërsisë, le ta themi se është vështirë të gjesh diçka më të pështirë se shkrimtarët-spiunë, ata që dje çonin në burg kolegët e tyre, sot të fshehur pas pseudonimesh si dikur, përpiqen të çorientojnë gjithçka.
Duke qenë se, siç u tha më lart, historia e letërsisë dhe e arteve është një histori e majave, kjo krijon vetvetiu një frymë pozitiviteti dhe drite. Tipari pozitiv dhe i ndritshëm mund të krijojë gabimisht idenë se letrat dhe artet janë më të durueshme ndaj ceneve të rënda morale. Në të vërtetë mendoj se ndodh e kundërta, është pikërisht fryma e epërme që nuk lejon asnjë zemërgjerësi ndaj shkrimtarëve që denoncuan politikisht kolegët e tyre. Një kimist, një ndërtues urash, mund të vazhdojë ushtrimin e profesionit pas një zbulimi të tillë. Një shkrimtar, kurrsesi. Ndoshta iu duket radikal ky mendim, dhe unë nuk ngul këmbë që s’është i tillë. Megjithatë, kur kam parë në shtyp intervistën e një shkrimtari, i cili, pas marrjes nëpër gojë në shtyp si një ish-bashkëpunëtor i Sigurimit, në vend të ulte kryet me turp, shfaqi kënaqësinë që shumë njerëz (me pseudonime, natyrisht) e përkrahën. Kjo tregon se shkrimtarët denonciatorë ëndërrojnë kthimin e kohës së tyre.
Për të mos lënë ndonjë keqkuptim në këtë çështje delikate, dua të theksoj se me përcaktimin “shkrimtarë spiunë” nuk kam parasysh ata që u gjendën në rrethana dramatike të veçanta, dhe që e kanë treguar vetë dramën e tyre.
Duhet shtuar gjithashtu se ka kohë që në Shqipëri është bërë modë acarimi kundër sqarimeve, aq shumë të nevojshme disa herë, për probleme të ndërlikuara. Mendoj se kjo xanxë kundër sqarimeve bën pjesë, dashur pa dashur, në frikën kundër hapjes së arkivave, dosjeve dhe pseudonimeve”, thotë shkrimtari shqiptar.

Please follow and like us: