Albspirit

Media/News/Publishing

Takimi Rama-Hollonde para ceremonisë për Kadarenë

Çfarë u tha në takimin Rama-Hollonde para ceremonisë për Kadarenë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim pune në Paris me Presidentin francez François Hollande. Takim, i cili i parapriu ceremonisë së dorëzimit të dekoratës së Komandantit të Legjionit të Nderit, shkrimtarit Ismail Kadare.

Gjatë takimit me Presidentin Hollande, ku morën pjesë edhe ministri i Jashtëm Bushati dhe Sekretari i Shtetit francez për Çështjet Europiane, Harlem Désir, u konfirmua angazhimi i Francës për t’i dhënë një orientim domethënës politikave euro-integruese në raport me Shqipërinë, sidomos nëpërmjet konferencës së Parisit dhe një axhendë të re të Francës për rajonin duke filluar nga muaji shtator.

Presidenti Hollande, duke vlerësuar rolin stabilizues në rajon të Shqipërisë, inkurajoi fuqishëm arritjen e reformës në drejtësi dhe nënvizoi se vendi ynë është në rrugën e duhur në procesin e hapjes së negociatave.

Një vlerësim i posaçëm për Shqipërinë dhe punën e qeverisë, ishte lufta ndaj radikalizmit fetar dhe ripërtëritja ekonomike, ku Franca mëton të ketë rolin e saj nëpërmjet investimeve madhore si ai i TAP-IAP.

***

Në një ceremoni të posaçme në Sallonin e Dimrit në Pallatin Élysée, Presidenti Francois Hollande i dorëzoi shkrimtarit Ismail Kadare, dekoratën e Komandantit të Legjionit të Nderit.

Në ceremoninë e dekorimit, përveç miqve dhe personaliteteve të botës së kulturës dhe politikës në Francë, i ftuar special i Presidentit Hollande ishte edhe Kryeministri Edi Rama me bashkëshorten Linda.

Ismail Kadare u nderua me dekoratën më të lartë, duke u bërë anëtar i Urdhrit kombëtar të Legjionit të Nderit. Me këtë rast, në fjalën e tij, François Hollande e cilësoi si një shqiptar dhe një francez në zemër dhe universal prej shpirtit. Ismail Kadare u shpreh mirënjohës për nderin që i bëhej atij dhe vendit të tij.

Please follow and like us: