Albspirit

Media/News/Publishing

Vlerësimi i Kadaresë, nderim për të gjithë shqiptarët

1 Kadare Fransua Holland

Shkruan:Gani Qarri Cyrih/

Ishte viti i largët 1966, kur poeti i mallit dhe dashurisë së pashuar për Kosovën, protagonisti i lotëve të dhembjes, shpërfaqur si pika të shiut mbi qelq, nga imazhi i krijuar në lartësitë qiellore, derisa si udhëtar i “rastësisë”përmes vrimave të dritareve të vogla të avionit, reve dhe vranësirave të zymta, me mall shihte tokën e Kosovës nën sundimin e huaj të sertë,Kadare krijoi njërën nga poezitë më të njohura dhe të paharruara të tij, me titull “Kosova”. 

Pikërisht mu ky krijues gjenial,i shumë veprave të njohura, të përkthyera në dhjetëra gjuhë botërore, pas një kontributi shumëvjeqar, të gjatë e të gjerë letrar e kulturorë, u shpërblye me të drejtë nga njëri prej personaliteteve më të larta franceze dhe evropiane, si presidenti Hollande, me çmimin më të vlerësuar ndërkombëtar, deri më tani. 

Për Kadarenë si autor dhe personaliteti më i devotshëm i identitetit kombëtar të shqiptarëve kudo, data e 30 majit të vitit 2016, do të mbetet një ngjarje e paharruar historike dhe eveniment i pashlyer përjetshëm, në memorien e të gjithë bashkëkombësve tanë.

 Vlerësimi ndaj tij, merr peshë të veçantë edhe për faktin se nga një tubim që sipas parimit shtetëror francez, tradicionalisht organizohet për disa personalitete bashkë dhe shpërblimet në emër të presidentit, ndahen nga dikush tjetër, kësaj radhe, ky eveniment u organizua si ceremoni e veçantë solemne, vetëm për Kadarenë me një rreth të ngushtë të ftuarish në pallatin presidencial “Elize”, ku vet presidenti, Francois Hollande, nderoi personalisht shkrimtarin shqiptar, Ismail Kadare me vlerësimin më të lartë që Franca ndanë për personalitetet më të shquara, urdhrin; “Komandant i Legjionit të Nderit”!.

 Ismail Kadare, kohë pas kohe, është nderuar edhe me shpërblime të tjera në vend dhe në botë, madje ende pa kaluar tri javë të plota nga ky eveniment, në Konferencën Ndërkombëtare me titull “Shekulli i Kadaresë”, mbajtur më 13 Maj 2016 në Tiranë, presidenti i Shqipërisë, z. Bujar Nishani, nderoi shkrimtarin më të mirënjohur të kombit tonë, z. Ismail Kadare me dekoratën e lartë të Flamurit Kombëtar.

 Por pa nënvlerësuar për asnjë çast dekorimin e lartë kombëtar dhe vlerësimet tjera të rëndësishme, dedikuar atij, Urdhri i veçantë që për herë të parë iu nda një personaliteti të shquar ballkanas, nga vet presidenti i Francës,z. Hollande, nderon Kadarenë dhe të gjithë shqiptarët, rritë pafundësisht mirënjohjen ndaj krijuesit tonë gjenial, dhe zgjeron kufijtë e vlerësimit të tij, në përmasa qindra milionëshe-evropiane dhe botërore.

 Presidenti francezë, jo vetëm se foli fjalët më të mira për shkrimtarin shqiptar, por duke njohur në hollësi vlerat dhe aftësitë gjeniale të tij, Francois Hollande, Kadaren e quajti Evropian që e do Evropën dhe “avokues” e mbrojtës të vendosur të kulturës evropiane.

 Urdhëri me të cilin Hollande nderoi Kadarenë, është i vjetër dhe me traditë. Ai daton që nga koha e Napoleon Bonapartës i cili si udhëheqësi kryesor i Francës dhe kryekomandant i ushtrisë, qysh në vitin 1802, e kishte përjetësuar këtë çmim, duke e projektuar si mirënjohje me disa shkallë vlerësimi, për ushtarët më të mirë dhe ushtarakët më të suksesshëm të tij.

 Por, më vonë, me këtë Urdhër udhëheqja franceze, filloi ti nderonte personalitetet më të shquara për kontribut të veçantë ndaj Francës, kurse me nderimin e Kadaresë me këtë çmim, kam bindjen se po nisë një epokë e re, për vlerësimin e autorëve të ngritjes dhe forcimit, tanimë edhe të kulturës dhe vlerave më të larta evropiane!.

Përndryshe, një nderim të ngjashëm në fushën e letërsisë ,deri më tani, Franca i ka ndarë vetëm autorit të dalluar francezë shkrimtarit Michel Tornier, si autor i suksesshëm i cili me arritjet e tij, ka rritë reputacionin e vendit. 

Vlerësimit të krijimtarisë së Kadaresë edhe në atdheun e tij të dytë, në Francë ku ai që nga vitit 1990 vazhdon ta zhvillojë me sukses veprimtarinë e tij letrare, Holande i parapriu me konsideratën më të lartë duke iu drejtuar atij me fjalët më të përzemërta dhe në mënyrën më vllazërore; Ju jeni edhe shqiptar edhe francez, me zemër evropiane dhe shpirt universal, një “autor i mrekullueshëm i historisë së Ballkanit”!

Kështu, mirënjohjeve të shkrimtarit tonë më të mirë, iu shtua edhe një çmim i veçantë, i cili në fakt, atij i ishte ndarë që në fillim të vitit 2016,me rastin e 80 vjetorit të lindjes dhe ardhjes në jetë të krijuesit tonë gjenial.

Ndaj si njëri nga shkrimtarët më të mirë bashkëkohor shqiptar dhe evropian, me vepra të përkthyera në mbi 50 gjuhë të botës, i nominuar disa herë edhe për çmimin “Nobel”, për letërsi, vlerësimi që iu bë Kadaresë, nderon letërsinë dhe kulturën shqiptare në sytë e Evropës dhe gjithë botës së civilizuar!

 Të gjitha këto, pa asnjë dyshim, i kishte parasysh edhe presidenti i Francës, z. Fransua Hollande, kur vendosi që Ismail Kadares, si i vetmi jo-francezë, dhe krijuesi i parë nga gjithë Gadishulli i Ballkanit, në mënyrë plotësisht të arsyetuar, ti ndante vlerësimin më të lartë shtetëror e kombëtar të Francës.Megjithatë, ky eveniment, nuk duhet të shihet as trajtohet, nga askush, si nderim vetëm për Ismail Kadaren, por të pranohet dhe konsiderohet nga të gjithë, si vlerësim i lartë dhe mirënjohje e veçantë për autorin dhe mbarë popullin shqiptar.

Kadare, me krijimtarinë e tij të tej-arritshme autoriale, ishte ndër krijuesit e parë, që kaloi kufijtë shtetëror e kombëtar edhe në kohën kur ata mbaheshin hermetikisht të mbyllur nga diktatura vendore në Shqipëri,  dhe sistemet e huaja që sundonin shqiptarët në trojet e tyre të pushtuara etnike.

Veprat e tij,që nga ajo kohë, bëri të njohur kudo origjinën, traditën, kulturën dhe gjithë vlerat më të mira kombëtare e njerëzore të popullit shqiptar, të cilat nuk i dinin shumë vende të botës.

Madje, popuj jo vetëm nga vendet gjeografikisht më të largëtat, për herë të parë komunikuan me ne dhe njohën shqiptarët,përmes veprave shembullore të Ismail Kadaresë.

Ndaj, evenimenti i dekorimit të tij me urdhrin “Komandant i Legjionit të Nderit” do të mbetet një ngjarje e paharrueshme, jo vetëm akademike, por edhe akt historik, për shqiptarët dhe Kadarenë si autor, vepra e të cilit ka kohë që ka tejkaluar dimensionet e letërsisë dhe është shndërruar në vlerë të kulturës botërore.

Çdo mirënjohje, dekorim a shpërblim kombëtar e ndërkombëtar është gëzim i përbashkët për të gjithë shqiptarët. Ai bëri shumë për popullin dhe vendin e vet, duke i dalë krah me vendosmëri dhe fakte e argumente të pamohueshme edhe mëvetësisë dhe çlirimit të Kosovës, si dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të shqiptarëve kudo dhe në të gjitha trojet e tyre etnike. 

 Ai ishte dhe mbeti, jo vetëm ylli më rrezatues për krijimtarinë, kulturën dhe traditën e kombit tonë, por dhe u shndërrua në kalorësin më besnik të orientimit properëndimor për të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë.

 Talenti i tij krijues dhe veprues, bindi të gjithë opinionin përparimtar evropian dhe vet presidentin francez, Francois Hollande, që me të drejtë dhe në mënyrë plotësisht të merituar, përfundimisht ta nderonte Ismail Kadarenë si shqiptarin dhe ballkanasin e parë  me urdhrin “Komandant i Legjionit të Nderit” – gjithë-EVROPIANË!, do të thoja unë, me shumë krenari, si shqiptar dhe adhurues i sinqertë i tij.

 Ndaj, si vepra gjeniale e autorit tonë, ashtu edhe vlerësimet që vijnë nga qarqet e larta evropiane e botërore për Kadarenë, janë mirënjohje edhe për mbarë popullin shqiptar”, zëri i të cilit ishte dhe mbeti gjithmonë unifikues për ne. 

 Këshillat, udhëzimet dhe porositë e urta të tij, ndikuan jo vetëm një herë si fuqi magjike, por ato edhe në momentet më kritike, bashkuan forcat e shëndosha kombëtare nga të gjitha anët e kufijve të huaj, që fatkeqësisht ende ndajnë shqiptarët. 

Vetëm porositë,veprat dhe arritjet e Ismail Kadaresë, edhe kështu si jemi, arrijnë që neve të na afrojnë dhe bashkojnë, të paktën shpirtërisht si komb.

 

– See more at: http://gazetadielli.com/vleresimi-i-kadarese-nderim-per-te-gjithe-shqiptaret/#sthash.5l5Zb9FQ.dpuf

Please follow and like us: