Arrestohet drejtoresha e Qendrës së Zhvillimit Social në Shkodër
Arrestohet drejtoresha e Qendrës së Zhvillimit Social në Shkodër. Të sëmurët mendorë dhunoheshin sistematikisht, tre femra kanë abortuar
Një ditë pasi emisioni investigativ “STOP” në Televizionin Klan u publikoi pamjet shokuese të trajtimit çnjerëzor të personave me aftësi të kufizuara në qendrën e zhvillimit social të Shkodërs ka reaguar prokruroria. Me urdhër të organit të akuzës janë arrestuar drejtoresha e kësaj qendre Juliana Cepi, si edhe infermierja Aida Ymeraj. Prokuroria e Shkodrës thotë se ka hetuar për më shumë se dy javë në këtë qendër ku ka zbuluar se ndaj pacientëve me sëmundje të shëndetit mendor është ushtruar dhunë sistematike. Vetë drejtoresha Cepi tha për gazetarët para arrestimit se për këtë cështje do të shprehej në një tjetër moment. Organi i akuzës ka zbuluar edhe një fakt akoma më të rëndë pasi ka rezultuar se tre femra në moshë madhore, paciente në këtë Qendër, kanë qenë shtatzëna dhe kanë abortuar në mënyrë të paligjshme. Ky rezultat ka dalë në bazë të akteve të ekspertimit mjeko-ligjor, të kërkuara nga ana e Prokurorisë. Organi i akuzës thotë se neglizhenca e këtyre dy punonjëseve ka sjellë shtatzëninë e femrave me probleme mendore, si edhe ndërhyrjen e paligjshme për abortin e tyre.