Erdogani kërcënon para rezolutës për Armeninë të Bundestagut
Fillimisht ankohet kryeministri Yildirim – tani Turqia paralajmëron në nivelin më të lartë. Pak para rezolutës për Armeninë të Bundestagut, Presidenti i Turqisë, Erdogan i ka shtuar kërcënimet.
Rezoluta e planifikuar e Bundestagut për masakrat ndaj armenëve, sipas mendimit të Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan do të kthehet në një test rezistence për raportet me Gjermaninë. Erdogani tha në Izmir se kishte telefonuar për këtë me Kancelaren Angela Merkel. Nëse rezoluta do të miratohet sipas planit të enjten, “kjo natyrisht që do t’i dëmtonte marrëdhëniet e ardhshme diplomatike, ekonomike, të biznesit, politike dhe ushtarake midis dy vendeve – ne të dy jemi edhe anëtarë të NATO-s”, tha Erdogani. Aktualisht, tha ai, marrëdhëniet bilaterale janë në “një nivel shumë, shumë të lartë”.
“Pa bazë dhe e padrejtë”
Bundestagu do të miratojë të enjten një rezolutë të përbashkët të partive unioniste, të SPD dhe të Gjelbërve, e cila e kategorizon si gjenocid vrasjen masive, deportimin e armenëve në Perandorinë Osmane. Sipas vlerësimeve, para rreth 100 vjetësh jetën e humbën midis 800.000 dhe 1,5 milionë pjesëtarëve të këtij minoriteti të krishterë. Turqia shpreh keqardhje për këtë, por e kundërshton rreptësisht kategorizimin si gjenocid.
Më parë, edhe kryeministri turk, Binali Yildirim u ankua në një telefonatë me Kancelaren për “gjykimet pa bazë dhe të padrejta” të rezolutës së planifikuar, siç bëri të ditur zyra e Kryeministrit turk. Qeveria turke, i gjithë vendi dhe miliona turq në Gjermani e ndjekin me shqetësim zhvillimin, ka thënë Yildirimi. Ankaraja pret nga qeveria gjermane dhe nga Bundestagu një “qëndrim me respekt”. Merkeli e pati marrë në telefon Yildirimin për ta uruar për emërimin e tij si kryeministër.
Koalicioni qetëson
Përfaqësues të koalicionit qeveritar në Berlin po përpiqen tani të qetësojnë. Nuk bëhet fjalë që të dëmtohen marrëdhëniet midis të dyja vendeve, tha drejtuesi ekzekutiv i Grupit Parlamentar unionist, Michael Grosse-Brömer në Berlin. “Shpresoj që kjo edhe të kuptohet kështu”. Askush nuk duhet të ulet në bankën e të akuzuarit, as edhe qeveria aktuale turke. Në një votim provë në Grupin Parlamentar unionist, rezoluta u pranua me një votë kundër dhe me pesë pro.
Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të SPD, Thomas Oppermann theksoi që rezoluta për Armeninë të mos keqpërdoret për një konfrontim me Presidentin Erdogan. “Dëshiroj t’i paralajmëroj nxitësit në debat që të mos e teprojnë shumë”, tha Oppermann. Bundestagu synon të “konstatojë të vërtetën historike” të gjenocidit ndaj armenëve, tha ai.