Albspirit

Media/News/Publishing

Këta kuqezij aspak modestë

Dëgjoni fjalët e një futbollisti veteran në prag të Europianit: “Kurajë Itali, askush nuk pret asgjë”. Quhet Xhixhi Bufon dhe detyrohet të thotë këto fjalë, edhe pse ekipi i tij është aq i pabesë, sa shpesh befason edhe ata që e njohin mirë tokën italiane të futbollit.

Po ne shqiptarët, a mund ta largojmë euforinë, pa të cilën nuk e përjetojmë dot futbollin, dhe të pyesim sinqerisht:

Çfarë pretendojmë në Europianin francez? Sikur të besonim në deklaratat sistematike të “bufonëve” të Kombëtares sonë, eliminimi nga grupi do të përbënte një nga padrejtësitë e kompeticionit.

Futbollistët e trajnerit De Biazi, nëse do të kishte një klasifikim midis finalistëve të Europianit, mund të jenë debutuesit që flasin dhe premtojnë më shumë.

Në një përfaqësuese që nxitet gara për të ndezur fitilin e euforisë, disa futbollistë e shikojnë Kombëtaren përtej grupit dhe nuk kanë frikë të shpërfillin Francën, Zvicrën dhe Rumaninë. Një pjesë tjetër, që mund të pagëzohen si me “këmbë në tokë”, parathonë se një kundërshtari do t’i hamë kokën, por akoma nuk ia dimë emrin. Ka edhe nga ata që tundin kokën me përkëdheli, kur dëgjojnë krahasimin hyjnor:

“Shqipëria mund të jetë Leiçesteri i këtij Europiani”. Por, nuk gjen asnjë futbollist që të ketë kurajën të thotë se nuk do të ikim nga Franca pa provuar shijen e golit. Ata që e njohin nga afër stilin, mënyrën si bashkojmë në një amalgamë lojën dhe moralin, na qerasin me një karamele të sheqerosur me ironi: “Shqipëria pa eufori do të ishte si një lojë futbolli pa top”.

Trajneri De Biazi, siç pretendohet nga media e vendit të tij, njeriu që na mësoi shumë sekrete të bunkerit italian të mbrojtjes, u kap edhe vetë i papërgatitur për të na mësuar kodin e sjelljes së një finalisti. Ndërsa kolegët e tij europianë ankohen për një sezon sfilitës të futbollistëve nëpër klube, italiani pozon në reklama, duke shijuar çastet e fundit të magjisë.

Një magji që nuk përsëritet, kështu theksoi edhe presidenti Duka një mbrëmje në ekran, i ulur në një karrige me shpinore të kuqe si fanella e Kombëtares, mbi të cilën ishte shkruar emri Duka dhe numri 10, një fakt që zbulon se modestia nuk është modë e preferuar për ekipin kuqezi.

Please follow and like us: