Me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla është pezulluar nga detyra prokurori i Lezhës, Gjergj Rudi. Masa për Rudin vjen pas lirimit nga burgu i Lezhës i shtetasit kosovar, Shuaip Zukaj. Aktualisht prokurori po hetohet nga kolegët e tij të Krujës dhe po verifikohen të gjitha procedurat se ndjekura në lirimin e kosovarit.
Në sitë do të kalojnë veprimet e prokurorit për të parë nëse ka respektuar ligjin në lirimin e Zukajt. Avokati mbrojtës i juristit të burgut të Shën-Kollit ngriti pretendimin se prokuroria e Lezhës nuk kishte dërguar në burg urdhrin e ekzekutimit për ekstradimin drejt Kosovës të Shuaip Zukajt.
Sipas vendimit të gjykatës Zukaj, me të mbaruar dënimin e marrë në Shqipëri për akuzën e plagosjes se një shtetasi nga Kosova në vitin 2000 në Shëngjin, u la i lirë, ndonëse në kartelën e tij figuronte vendimi, për ekstradimin në Kosovë, për një vrasje të kryer në 2011-ën.