Rriten pensionet për 20 mijë vetë, kishin ngrirë nga vitet ‘90
Qeveria shqiptare vendosi të ngrejë pensionet për të gjithë ata që deri më tani paguhen nga 1.4 mijë lekë deri në masën 5.5 mijë lekë. Këto pensione rriten me 5 deri në 10 herë duke shkuar në 14 mijë lekë dhe 24.5 mijë lekë.
Të gjithë ata që përfitojnë nga këto rritje të pagës së tyre kanë dalë në pension në vitet 1993-1996 dhe nuk kanë përfituar nga rritjet e pensioneve në vitet 2000 dhe 2001, duke u tërhequr nga puna me 60 për qind të pagës.
Kjo kategori, e cila është prej disa mijëra persona, do të përfitojë nga kjo rritje që prej 31 marsit të vitit 2016. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për këtë vit llogaritet në shumën 324 milionë e 100 mijë lekë, ose afërsisht 3 milionë dollarë.
Sipas vendimit të qeverisë, ky fond do të përballohet nga rezultati pozitiv financiar i Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2015. Vetë sigurimeve shoqërore do t’u shtohet një fond prej 2 milionë lekësh për të përballuar këtë volum pune.