Albspirit

Media/News/Publishing

Universiteti Trump, në gjyq për mashtrim


Një gjykatës federal publikoi rreth 400 faqe dokumente që japin hollësi se si punonjësit e Universitetit Trump kanë përdorur praktika agresive për t’i bindur klientët të regjistroheshin për seminare të shtrenjta për të mësuar rreth biznesit të pasurive të patundshme.

Dokumentet për biznesin tashmë të falimentuar në pronësi të kandidatit republikan për president, Donald Trump, përfshijnë informacione lidhur me mënyrën se si instruktorët ishin udhëzuar të mashtronin qëllimisht klientët e mundshëm, të manipulonin emocionet e tyre dhe të minimizonin shqetësimet.

Publikimi është pjesë e një padie nga konsumatorët që thonë se janë mashtruar.

Në një konferencë shtypi të martën në Trump Tower në Nju Jork, zoti Trump vazhdoi sulmet ndaj gjykatësit federal Gonzalo Curiel i cili bëri publike dokumentet.

“Ai ka qenë një gjyqtar shumë i keq … shumë, shumë i padrejtë”, tha zoti Trump. Ai vazhdon të thotë se klientët e tij kanë qënë shumë të kënaqur me seminaret – një argument që avokatët e tij e kanë përsëritur pasi u publikuan dokumentet. Ato përfshijnë dëshmi nga një numër klientësh të kënaqur me seminaret.

Klientët bazë të Universitetit Trump janë identifikuar në dokumente si kryefamiliarë mes moshës 40 dhe 54 vjeç, me të ardhura të paktën 90,000 dollarë, me arsim të lartë dhe me pasuri prej më shumë se 200,000 dollarë.

Dokumentet flasin për vëmendjen që Universiteti u jepte hollësive të tilla si vendet në seminar. Temperatura e dhomës duhet të ishte jo më shumë se 20 gradë celcius dhe muzika në sfond duhet të ishte “For the Love of Money.”

Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut Eric Schneiderman, i cili drejton një nga disa paditë e ngritura kundër Universitetit Trump, përshëndeti publikimin e dokumenteve. Schneiderman tha se Trump “nuk ka turp” që ka gënjyer njerëzit “duke u kërkuar të paguanin gati 20 mijë dollar për seminaret e tij”.

Universiteti Trump përballet me disa sfida ligjore. Ai u bë objekt kontrollesh nga Departamenti i Arsimit në Nju Jork para se të mbyllej në vitin 2011.

Por zoti Trump ka përsëritur pafajësinë e tij duke publikuar referenca nga studentët që i vlerësojnë seminaret. Ai tha se nuk do ta mbyllë çështjen pasi ajo do të vendoset në gjyq.

Please follow and like us: