Artur Zheji analizon LSI-në dhe hakmarrjen ndaj PS-së
Artur Zheji ka analizuar faktin, nëse Rama dhe Meta do të shkojnë bashkë në zgjedhjet që do të mbahen për Bashkinë e Kavajës dhe Peshkopisë. Sipas Zhejit, tek LSI janë të zemëruar për atë që ndodhi në zgjedhjet vendore, sidomos për Bashkinë e Pogradecit.
“Por si do të jetë shëndeti i Koalicionit, Rama&Meta, kur të vijë kjo ditë?
Nuk janë të pakët, të zemëruarit e LSI, të vitit zgjedhor 2015, që duan “hakmarrje”, pasiqë rasti erdhi në derë. Ata kujtojnë sot, se cfarë ndodhi në Vorë, në Lezhë apo në Pogradec, vetëm 1 vit më parë. 3 humbje të gjakosura, të LSI. Ku zërat e revoltës së bazës së LSI, që bërtisnin dhe komentonin lart e poshtë, se humbjet e kandidatëve të Ilir Metës, ishin frut i një “Pazari Roskoveci”, që baza e përkthente me termin e qartë, të një tradhëtie elektorale dhe shkeljeje marrëveshjeje, nga ana e Ramës, sot ndoshta i kërkojnë Metës, më të paktën, barazimin.
Sepse, ajo që ndodhi në zgjedhjet lokale 2015, veprim i kuptueshëm politik dhe taktik ky, për ti vënë fre, rritjes së LSI, mbas zgjedhjeve të vitit 2013, dhemb akoma te baza e LSI.
Një veprim, që në rrethana të tjera, do të hidhte në erë shumicën qeverisëse, Rama-Meta.
Por duket se Rama, e kishte studiuar mirë situatën psikologjike të Mikut-Kundërshtar dhe Aleat njëkohësisht. Guxoi, porositi bazën e vet në mënyrë të koduar, me komisarët e duhur të terrenit dhe fitoi, pamvarsisht se të tre bashkitë e humbura nga LSI, ranë në duar të PD.
Simbas parimit: “Kush guxon, Fiton!”
Mirëpo tani, situata është rihapur përsëri, në dy pika të nxehta dhe ku Partia Demokratike ka pozita të forta, tradicionale. Për më tepër që, qoftë Shukriu dhe Elvisi, janë larguar, duke lënë mandatet e tyre të qeverisjes lokale, ngarkuar me hije të errta, që kanë tronditur opinionin publik, jo vetëm lokal, por mbarë kombëtar”, shkruan Zheji, për portalin e tij.
Sipas Zhejit, Ilir Meta është duke i hapur rrugët Ramës për zgjedhjet në këto dy bashky, ndërsa ky i fundit, sipas tij, është duke përgatitur skema të tjera “roskoveciane”.
“Thënë të gjitha këto, dilet në përfundim të të tre skenarëve që mundet llogjikisht të shfaqen në zgjedhjet që do të bëhen në Peshkopi.
1.Rama, do të negociojë me Metën, për një kandidaturë hibride, që do të jetë me një këmbë në LSI dhe një këmbë në PD dhe kështu Peshkopia, mbetet Majtas.
2.Meta, do të kërkojë një kandidat të LSI, pasiqë figura e PS, u diskreditua dhe një kandidaturë tjetër e PS, do të shkaktonte bjerrje votash, për shkak të acarimit popullor dibran, ndaj bëmave të Shukriut.
3.Variant i tretë: Mosmarrëveshje. Tre kandidatë për postin e krytarit të Bashkisë së Peshkopisë, që do të thotë që Peshkopia, dhe pas saj, gradualisht krejt Dibra, kthehet në sferën e influencës së Partisë Demokratike.
Si do ta shfrytëzojë këtë rast Ilir Meta? Pa llogaritur kalkulimet e Kavajës, ku, në vija të përgjithshme, ka ngjashmëri me rastin e Peshkopisë, por me nuanca krejt të tjera.
Shenjat e deritashme, tregojnë se Meta, përjashtuar ndonjë lëvizje të castiti të fundit, është gati ta humbasë këtë rast taktik, ose po mendohet që ta shkëmbejë me sfera të tjera influence.
Sidoqoftë nuk ka sinjale,” as lufte dhe as paqeje”, nga LSI, ku mbretëron një qetësi e padeshifrueshme dhe misterioze.
Ndërkohë kryeministri dhe kryetari i PS, blen kohë dhe jo vetëm kohë.
Duke përgatitur Pandeli Majkon, për poltronën presidenciale dhe sigurisht, duke menduar skema të reja “roskoveciane”, specialitet mjeshtëror ky, që fiton gjithkund notën 10, aty ku shfaqet Rama”,shkruan Zheji.