Albspirit

Media/News/Publishing

Banka e Shqipërisë kujtohet më në fund për të kontrolluar bankat private

Janë konsideruara përherë institucione private të mbrojtura në mënyrë të posaçme. Madje edhe kur flitej për krizë, raportet e shumta deklaronin fitime të mëdha të bankave private në Shqipëri, ndaj të cilave qeveria e shkuar mori vetëm një masë: frenimin e transferimit të kapitaleve monetare jashtë vendit. Banka e Shqipërisë, institucioni që punon në luks pagash dhe shërbimesh, i cili duhet të bëjë mbikëqyrjen e tyre, nuk ka lëvizur nga vendi, përveçse së fundmi, me gjasë me shtysë të huaj. “Bankat kanë mungesë transparence dhe nuk publikojnë informacion mbi mbledhjet e aksionerëve,  procesin e seleksionimit, praktikat e kualifikimit dhe politikën e bonuseve dhe shpërblimeve speciale. Të gjithë këta elementë duhen përmirësuar, sepse gjenden në këtë situatë prej shumë vitesh”, deklaroi Deniz Derralla, drejtor i mbikëqyrjes në BSH, raporton Top-Channel. Sipas këtij zyrtari BSH-ja ka kërkuar ndihmën e partnerëve të huaj për të përmirësuar mbikëqyrjen bankare.  “Ajo që ne planifikojmë të bëjmë është një rishikim total i kuadrit ligjor dhe të propozojmë rekomandime për të ndihmuar Bankën e Shqipërisë të përmirësojë mbikëqyrjen, veçanërisht sa i takon riskut, qeverisjes së brendshme të bankave, zbatimit të ligjit dhe auditin e brendshëm”, tha Gian Piero Cigna nga BERZH.

Please follow and like us: