Çmenduria e dekriminalizimit:
Nga Ermir HOXHA: Çmenduria e dekriminalizimit: prijëtarët e procesit janë njerëz me maska
S`pari duhet thënë se Elvis Rroshi, kreu i Bashkisë së Kavajës, është një viktimë reale e një beteje më shumë virtuale. Partia Demokratike, me një propagandë dinamike, mjeshtërisht ia arriti t’i imponohet opinionit për një gjë që nuk është ekskluzivitet i këtyre 3 viteve qeverisjeje.
Partitë tona, të çdo kahjeje, janë përplot me djaj, të mëdhenj e të vegjël, që mjaft të kujtohesh për një moment për ta dhe i zbulon pa asnjë lloj sforcoje. Dhe kështu, pas humbjes katastrofike në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, e ndodhur në një boshllëk kauze, PD u kujtua të gërmonte në biografinë e njerëzve të emëruar në poste për t’u gjendur atyre yçkla kriminale.
Dhe meqë ishte diçka që ndodhi për herë të parë në politikën e këtyre 25 viteve, arriti të bëjë efektin e duhur, për ta shpërfytyruar imazhin e kundërshtarit, duke ia faturuar atij diçka të tillë si një fenomen sefte. Por të jeni të bindur që e njëjta gjë do të ndodhte edhe sikur PS-ja e rënë në opozitë në vitin 2005 t’i ishte qasur pushtetit të PD-së po në të njëjtën formë.
Ja, deklarimet në formularët e dekriminalizimit i nxorën gati jek e jek të majtët e të djathtët për sa u përket proçkave të së kaluarës që u vjen era kriminalitet, megjithatë gjithçka është përqendruar tek dy-tre figura të pushtetit. Për Nokën, Fufin apo Zenelajn, nuk po ia ndien kujt.
Megjithatë, çfarë ndodhi me Rroshin, e që pritet të ndodhë dhe me të tjerë – përflitet dhe me ndonjë nga opozita – është diçka pozitive, pasi u arrit të themelohet një standard, ku prej këndej e tutje çdo aspirant për t’u bërë qeveritar, i madh apo më pak i madh, do e ketë kurajën e frenuar të rendë drejt pushtetit nëse ka diçka kriminale në biografi.
Ndërsa negativja e këtij procesi është se beteja kundër pranisë së krimit në politikë po legjitimon akoma dhe më shumë politikën kriminale, atë që kur qeveris së prapthi, me paaftësi, kodoshllëk dhe babëzi, shndërrohet në po aq vrastare, jetësh, fatesh, ëndrrash, shpresash e gjithçkaje.
Mjaft të thuhet se a nuk është kriminale çështja e pronave, që përpos mijëra të vdekurve që ka shkaktuar, ka promovuar hajdutëri, ka bërë lëmsh një ekonomi, ka stresuar një shoqëri?!
A nuk është kriminale drejtësia shqiptare, që e gatuar e tillë prej politikës, që të jetë e korruptuar, e ka shndërruar padrejtësinë në formë ekzistence në këtë vend?!
A nuk janë kriminale ndërtimet pa leje, të cilat e kanë kriminalizuar terrenin urban shqiptar, duke lejuar çdokënd që të bëjë ç’të dojë me territorin, pronën publike apo të tjetrit?!
A nuk është kriminale shkatërrimi i mjedisit, i pyjeve, i shtretërve të lumenjve, i tokës së bukës?!
A nuk është kriminale që t’i hapësh udhë një soj politike që për sa qeveris kur është në pushtet, pasuron njerëzit e saj, të madh e të vogël, por vendin e lë si mos më keq?!
A nuk është kriminale që të instalosh në popull ndjenjën fatale se ky vend nuk bëhet, e se duhet t’ia mbathësh një orë e më parë?!
Mjafton kaq, dhe nuk po shkojmë edhe tek raste më ulëritëse, siç janë katër viktimat e 21 janarit, që gjithsesi, edhe pse ngjan si një episod kriminal, përçon një frymë kriminale, që lidhet pazgjidhshmërisht me llojin e krimeve të sipërpërmendura.
Dhe tani ngrihet pyetja: si ju ngjan Elvis Rroshi me të gjitha këto? Sepse, sido që të jetë, Rroshi iku, me hir a me pahir, e dha dorëheqjen; po ata që kanë qeverisur me vite të tëra dhe që mbajnë peshën e krimeve – në daç dhe me viktima, sikur në çështjen e pronës – kush do i ndëshkojë?!
Jo vetëm kaq, por ata nga kjo lloj beteje e padrejtë dhe krejtësisht virtuale kanë legjitimuar akoma dhe më shumë veten në politikë, e madje i kanë vetes një kurorë lavdie mbi kokë, si njerëz që po dekriminalizojnë politikën.
Madje, madje, Rroshi mund të ketë së paku kurajën që t’u thotë se unë e bëra diçka për sa qeverisa, i dhashë një lloj nuri qytetit tim, e t’u kërkojë, nga ana tjetër, pra, atyre që ia vendosën xanxën e kriminelit, një model të tyre në qeverisje, pa qenë nevoja për gërmime në biografi; gjë që sigurisht e lë Rroshin në pozita shumë më superiore. Dhe ky është paradoksi më i madh i këtij procesi.
Se Rroshi mund t’u perifrazojë dhe Telon e “Njeriut të mirë”, që i tha Verës se “një nga dajot e mi, që Kiçoja yt e paska kërkuar me kaq ngulm, vërtet qëndroi dy muaj me Ballin, por më pas ai doli partizan. Dhe a e di ti Vera se kur babai im e mbante mbi supe këtë dajë të plagosur, yt atë shiste qofte në pazarin e vjetër, aty ku sot është Pallati i Kulturës”.
Pra, ky proces i largimit të krimit nga politika po ka diçka alarmante në thelbin e vet: legjitimimin e politikave kriminale.
Nëse i referohemi gjuhës së popullit, ne thjesht jemi zhytur në një lojë fjalësh, të tipit alihoxhë apo hoxhëali, bukëfurre apo furrëbuke, ndërkohë që krimi në politikë është po e njëjta gjë me politikat kriminale.
Dhe kjo e bën dekriminalizimin një proces akoma dhe më kriminal, gjersa u vë nga një maskë tjetër mosnjohjeje në fytyrë protagonistëve të politikave kriminale, një tip çorapi mbi kokë. /tesheshi.com/