Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe amb.Lu, të shqetësuar për biznesin në Shqipëri
“Faktorë shqetësues janë monopolet, konkurenca e padrejtë, niveli i taksave dhe burokracia qeveritare”-thuhet në Indeksin 2015-2016
Denion Ndrenika
Dhoma Amerikane e Tregtisë raportoi një numër kritikash për gjendjen e biznesit në Shqipëri kur publikoi Indeksin për vitin 2015-2016.
“AmCham”, apo “American Chamber of Commerce in Albania” thotë se në Shqipëri janë përkeqësuar treguesit e ndikimit të klimës politike, të nivelit të korrupsionit dhe të konkurrencës së pandershme.
Në raportimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë, saktësohet se 29.1% e anëtarëve të saj konsiderojnë klimën e biznesit neutrale.
“Faktorë shqetësues janë monopolet, konkurenca e padrejtë, niveli i taksave dhe burokracia qeveritare”-thuhet në Indeksin 2015-2016.
Shifrat raportohen gjithashtu në nivelin 65% të anëtarëve që sipas Indeksit, e perceptojnë klimën e biznesit si jo të favorshme dhe 5.2% si pozitive.
Indeksi hapet me fjalën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, i cili vëren gjithashtu shqetësim për gjendjen.
“Mbeta i zhgënjyer kur vura re rënien e ndjeshme të ABI në 2015-n, nga 42.77 në 37.94”-shkruan ambasadori Lu.
Në Indeks thuhet ndërkaq se “u përmirësua treguesi i informalitetit” dhe për zotin Lu “raporti nuk është tërësisht një lajm i keq”:
“Unë jam i inkuarajuar që anëtarët e Dhomës Amerikane janë optimistë për vitin 2016, me pritshmëritë që ABI do të ringrihet në 40.61”.
Zoti Lu beson se “miratimi me sukses dhe zbatimi i reformës së sistemit gjyqësor, një angazhim për të pasur një regjim rregullator të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm dhe lufta e fortë kundër informalitetit dhe korrupsionit do të bëjnë që ABI të ketë një rritje edhe më të madhe sesa parashikohet në raportin e vitit të ardhshëm”.