Albspirit

Media/News/Publishing

Gjyqi, Messi: Shqetësohem vetëm për futbollin, jo për financat

Gjyqi, Messi: Shqetësohem vetëm për futbollin, jo për financat

Ylli i futbollit që aktivizohet me Barcelonën dhe me kombëtaren e Argjentinës, Lionel Messi, i cili është paraqitur përpara një gjykate spanjolle për evazion fiskal gjatë kësaj të enjteje, u ka thënë gjyqtarëve se nuk është aspak i përfshirë në menaxhimin e çështjeve financiare të tij.

“Unë luaj vetëm futboll dhe nuk di asgjë nga kjo fushë”, tha ai. Messi dhe babai i tij, Jorge, i cili merret me menaxhimin e financave të tij, akuzohen se i kanë fshehur shtetit spanjoll plot 4.1 milionë euro. Autoritetet akuzojnë se, të dy ata kanë shfrytëzuar “parajsat fiskale” në Belize dhe Uruguaj për të fshehur të ardhurat nga të drejtat e imazhit.

I veshur me një xhaketë të errët dhe me kollaro, Messi u ul pranë të atit përpara trupës gjyqësore, si dhe dëgjoi dëshmitë për afro 4 orë, përpara se të thirrej për të dëshmuar vet ai në ditën e tretë të gjyqit ndaj tij. 28-vjeçari Messi tha se kishte firmosur dokumentet pa i lexuar ato, sepse i besonte të atit dhe këshilltarëve përgjegjës për menaxhimin e financave të tij.

“Në fakt, unë shqetësohem vetëm për futbollin, për mënyrën sesi do të luaj”, tha ai përpara gjykatësve. E teksa foli për më pak se 15 minuta, ai tha se kurrë nuk kishte dyshuar të kishte bërë ndonjë shkelje, kur i ati i ofronte atij dokumente apo kontrata për t’i nënshkruar. Jorge Messi mohoi gjithashtu të ketë shkelur ligjin.

Agjencia spanjolle e taksave kërkon ndëshkimin me gjoba të rënda e deri në burgim. Gjyqi nisi të martën, ndërsa kjo e sotmja pritet të jetëdita e fundit. Megjithatë verdikti përfundimtar nuk pritet të jepet përpara javës së ardhshme.

Please follow and like us: