Albspirit

Media/News/Publishing

QORROLLEPSJA POLITIKE E GRUPASHËVE SHQIPTARO-AMERIKANË

KOLEC P. TRABOINI

Qorrollepsja politike e disa shqiptarëve të Amerikës, do karrieristëve që duan emër e lavdi por edhe përfitime, është histori e gjatë. Që nga korriku i vitit 1995 kur jam vendosur në Amerikë e ku kam 20 vjet qytetar amerikan, këtë këngë kukuvajkash politike servile kam dëgjuar. Zhgërryhen burrat e pilafit oriental të komunitetit për politikën brenda e jashtë amerikane. Zhargiten edhe me gazeta, u frynë dikur si gjela deti për Barac Obaman, u kulmuan deri në orgazëm kundër kandidatëve për presidentë, John McCain (ndjesë pastë ai amerikan i madh e dashamirës i shquar i shqiptarëve), më pas edhe kundër Mit Romney, por u mbars mali e polli një mi. Në një vështrim të pa anshëm, asgjë për t’u ruajtur në kujtesë historike në tetë vjetët e Presidentit Obama. Tregu amerikan në vazhdimësi u mbush me produkte kineze. Tërë  industria e lehtë por edhe ajo elektronike amerikane doli jashtë funksionit. U transferua në Kinë dhe në rajone të tjera, madje deri në Vietnam. Ndërkohë u shpif ISIS, shteti kalifat i terroristëve. Udhëheqësia në dëlir. Paradat e modës së Michelle Obames zinin kryevendin e lajmeve. Arriti sa në një libër për 4 gratë më të shquara të botës, sorosistët që ende manipulojnë mediat e botimet, kishin vënë në krye, sipër Nënë Terezës, vetë Michellen. Me tu neverit ky servilizëm i pa principtë që nuk njeh kufi në hierarkinë e vlerave.Por ndodhi që amerikanët u lodhën me këtë demagogji të madhe e me  punë të vogla. Katër vjet më parë kërkuan një udhëheqësi të re dhe një mënyrë të re të drejtimit të punëve në Shtëpinë e Bardhë. Kasta politike parazite, të cilës ju prishën llogaritë me ardhjen e Presidentit Trump, duan sërish privilegjet që humbën, të përdorin paratë e amerikanëve, kinse me ca programe “shoqëri e hapur”, nëpërmjet të cilave të kapin qarqet politike dhe krerët e shteteve nëpër botë. Ti manipulojnë ata, duke shkatërruar identitetin e popujve në emër të kinse globalizmit. Kudo në botë, si një epidemi sorrosiste, kanë dalë ca kinse majtistë, por spekulatorë, demagogë dhe hajdutë të sprovuar. Këta janë parazitët e përhershëm të shteteve e qeverive, janë viruset politike të korrupsionit. Administrata e Presidentit Trump nuk u la shteg për rigjallërim, madje as frymëmarrje në qeverisje e buxhet. U arrit deri atje sa ai tha se as rrogën e Presidentit nuk do ta merrte, kur paraardhësi i tij në detyrë Obama, i zellshëm e i etshëm për para, u bë çuditërisht presidenti më i paguar në historinë e Amerikës.Erdhën zgjedhjet e reja. Amerika nën tysninë e një pandemie vrastare, Covid-19, që futi në kolaps ekonomik mbarë botën. Vdekjet janë të shumta, lufta për jetët njerëzore është e jashtëzakonshme, por edhe për jetën social-ekonomike gjithashtu.Pikërisht tani në këto ditë të përzishme e gjetën rastin të rishfaqen në skenë këta kinse politikanë tanë të Diasporës, të cilët mjerueshëm pretendojnë të dalin në emër të komunitetit shqiptar, ta uzurpojnë atë, në stilin e sorrosistëve, duke u bërë thirrje shqiptaro-amerikaneve të votojnë kundër Trump dhe pro Biden me Kamala Harris. Po pse u intereson këtyre demagogeve të komunitetit tonë shqiptaro-amerikan kjo dalje publike dhe pozicionim i hapur i shqiptarëve të Amerikës në njërin krah të politikës amerikane? Sigurisht llogarisin përfitimin e vet e jo të shqiptarëve kudo ku ndodhen. Dikur, në vitet e mia të para në Amerikë botoja e shpërndaja në komunitetin shqiptar një periodik me titull të dubluar, shqip  “Lajmëtari i Bostonit”  dhe anglisht “Albanian of Boston”, me qëllime informimi brenda komunitar, por edhe për çfarë ndodhte asokohe në Shqipëri e Kosovë, 1996-1999. Gjithmonë nëpër shkrime bëja kujdes të shtuar në lidhje me prononcimet për krahët e politikës në Amerikë. Asnjëherë anësi. Asnjëherë thirrje për veçanësi politike. Kam qenë e mbetem me mendimin që si komunitet shqiptar asnjëherë nuk duhet të dalim në en-bloc politik, madje për këtë kam bërë dhe polemika kundërshtuese me gazetat shqiptare që dilnin në New York dhe bënin lojën e krahëve të politikës jo vetëm në Amerikë, por edhe yshtje në aspekte të politikave konfliktuale në Shqipëri. Secili ka dhe shpreh mendimin e vet, sjell argumentet e veta personale, pa pasur nevojë për lista, grupime, tubime bolshevike, se kjo mënyrë më kujtonte gjithherë tubimet komuniste, apo të mitingjet e turmave amorfe në post diktaturë, kur populli manipulohej nga demagogë të rafinuar që e çuan Shqipërinë në katastrofë e në prag të luftës civile.Dalja grup me thirrje, me buçima, të sjellin dhimbjen e kokës. Sjellin konflikte e pështjellime sociale. Këto karrshillëqe politike shqiptarësh në Amerikë nuk shkojnë larg. Janë arkaike e mediokre. Nuk sjellin asnjë përfitim si komunitet. Mua më vjen keq që gazeta “Illyria” e cila ka mision tjetër e jo politikën e Amerikës, si dhe për profesorin 90 e sa vjeçarin shkodran Sami Repishti (por jo për Ilir Zherkën, që është ushtar politik i ngulitur interesash), që hyjnë në kësisoj qorrsokakësh politike.  Aq më keq që u bëjnë jehonë thirrjeve të grupazheve mendje cekëta, të cilat me llapashitjen e tyre monotone në cirkun e  politikës, i sjellin dëme të pallogaritshme komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe Shqipërisë e Kosovës. Është koha të heqin dorë nga manipulimi i shqiptarëve e ti mbajnë ata sa më larg përdredhësive të veta politike.

Please follow and like us: