Albspirit

Media/News/Publishing

Karman: IS-i është dorë e zgjatur e Assadit


Tawakkol Abdel-Salam Karman

Tawakkol Abdel-Salam Karman

Nobelistja nga Jemeni, Tawakkol Abdel-Salam Karman, thotë se është pikërisht diktatura ajo që çon në korrupsion, në zhvillim të dobët dhe në mbështetje për dijetarët e këqij, të cilët e interpretojnë keq Islamin apo fetë e tjera.

Kundër terrorizmit mund të luftohet vetëm me ndalimin e diktaturës dhe përhapjen e drejtësisë, thotë Karman, duke pyetur nëse bota është vërtet serioze në këtë luftë.

Nëse komuniteti ndërkombëtar do që të ndalojë grupin militant Shteti Islamik (IS), shton ajo, atëherë duhet të ndalojë presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad.

“Bota nuk ka bërë sa duhet për këtë çështje. Duhen të shqyrtohen mënyrat me të cilat luftohet kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Në të kundërtën, ideologjia, frustrimi, urrejtja dhe dhuna do të rriten”, thekson Karman, gazetare dhe politikane nga Jemeni.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se vendet e fuqishme duhet të luajnë rol kyç në këtë luftë, ashtu si edhe sektori joqeveritar dhe mediat.

“Duhet të çlirojmë botën nga diktatura. Mënyrë për të arritur këtë është ndalimi i diktatorëve nga udhëheqja e shtetit ose e institucioneve publike. Nuk bën që ata të kenë shanse të vrasin njerëz. Duhet të sigurojmë se në ato vende mbizotëron demokracia dhe liria”, thotë Karman.

Ajo thekson se të gjitha fetë respektojnë vlerat e lirisë, barazisë dhe drejtësisë dhe se nuk ka asnjë lidhje midis tyre dhe ekstremizmit.

“Ekstremizmi është kundër njerëzimit e vlerave dhe, rrjedhimisht, kundër fesë. Problemi qëndron te njerëzit fetarë, që kanë role të këqija dhe thonë se përfaqësojnë Islamin, por në të njëjtën kohë janë diktatorë. Andaj, secili diktator është terrorist dhe secili terrorist është diktator. Ata jetojnë së bashku dhe mbrojnë njëri-tjetrin”, shprehet Karman.

Sipas saj, grupi ekstremist Shteti Islamik është pikërisht instrument i diktatorit.

“Ata (v.j Shteti Islamik) janë dorë e zgjatur e Bashar al-Assadit. Shihni atë që bën Shteti Islamik. Kush përfiton nga ajo? Diktatori. Ata kanë sulmuar Pranverën Arabe, njerëzit që duan liri dhe demokraci dhe kurrë regjimin e diktatorit. Njerëzit e rëndomtë vuajnë edhe nga diktatori, edhe nga Shteti Islamik. Megjithatë, besoj se, në fund, njerëzit do të fitojnë dhe mendoj se kjo fitore është afër, edhe pse nuk e kemi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, ashtu siç e ka pasur Kosova”, thotë Karman, duke theksuar edhe rëndësinë e lirisë së shprehjes.

“Njerëzit që kryejnë dhunë janë kryesisht ata që e kanë të ndaluar të flasin. E drejta e shprehjes është kurë për ta. Duhet t’i inkurajojmë njerëzit që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, por vetëm në mbrojtje të synimeve të tyre. Dhe, ajo duhet të vlejë për të gjithë. Kur ekstremistëve, myslimanëve dhe jomyslimanëve u mbyllen të gjitha dyert, ata do të nisen në rrugë tjetër dhe të gabuar”, thonë nobelistja Karman.

Përgatiti: Valona Tela
Please follow and like us: