Karzai kritikon vrasjen e liderit të talibanëve
Ish Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, ka thënë se vrasja e liderit të talibanëve, Mullah Akhtar Mansur, ka dëmtuar prospektin e një marrëveshje paqeje me grupin militant.
Mansur është vrarë gjatë një sulmi amerikan me dron më 21 maj, në Baloçistan, krahinën jugperëndimore të Pakistanit.
Gjatë një interviste me Radion Evropa e Lirë, Karzai gjithashtu e ka quajtur luftën në Afganistan si një “problem të huaj”, ndërsa ka bërë thirrje që në procesin e paqes të përfshihen edhe Rusia, Irani dhe India.
Gjatë presidencës së tij, prej vitit 2002 – 2014, Karzai ka pasur marrëdhënie të vështira me Shtetet e Bashkuara, ndërsa ka qenë kritik ndaj sulmeve ajrore amerikane.
Ndërkaq, Uashingtoni dhe Kabuli e konsiderojnë vrasjen e Mansurit si një mundësi të mirë për të rifilluar bisedimet e ndaluara për paqe me talibanët.