Nis restaurimi i varrit të Jezu Krishtit, në Jerusalem
Mbreti i Jordanisë, Abdullahu II,ka shpallur dekret bamirësie për të ndihmuar financiarisht restaurimin.
Jerusalem, 31 maj 2016 – Në Jerusalem ka filluar restaurimi i Kishës së Varrit të Jezusit. Restaurimi përfshin varrin e Krishtit në Golgotë, saktësisht Edikulën e mermertë, e cila është dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore, nga flaka e qirinjve të panumërt dhe nga lagështia që krijojnë avujt e frymarrjes së vizitorëve.
Plani i rindërtimit të edikulës përfshin restaurimit të plotë tësaj. Pjesët e edikulës do të hiqen, do të kontrollohen e pastaj do të vendosen përsëri. Sipas planit, do të zëvendësohen vetëm pjesët e thyera ose të dëmtuara aq sa nuk mund restaurohen, pllakat e mermerta do të pastrohen dhe do të konzervohen, ndërsa struktura mbështetësre do të përforcohet më shumë.
Projektin e rindërtimin do ta financojnë tri familjet e krishtera që e administrojnë Bazilikën e Varrit të Shenjtë dhe Qeveria e Greqisë. Por, një pjesë e mjeteve financiare do të sigurohet nga donatorët, midis të cilëve është edhe Mbreti i Jordanisë, Abdullahu II.
Shkëlqësia e tij, Mbreti Abdullah II, ka miratuar një dekret mbretëror për bamirësi për financimin e rindërtimit të Varrit të Krishtit në Kishën e Varrit të Shenjtë, në Jerusalem. Agjencia jordaneze e lajmeve, Petra, e cila e ka publikuar lajmin, thekson se oborri mbretëror hashemit i ka dërguar letër zyrtare Patriarkut të Jerusalemit, Teofilit III, të cilin e njofton për mbështetjen financiare.
Partiarku e ka vlerësuar lart gjestin e Mbretit të Jordanisë.
“Roli i Jordanisë në mbrojtjen e trashëgimisë së krishterë në Tokën e Shenjtë është i qartë dhe i pakontestueshëm”, ka thënë Partiarku.
“Mbreti Abdullah u prin përpjekjeve të të gjithë jordanezëve që të mbjellin farën e dashurisë e të vëllazërimit midis muslimanëve dhe të krishterëve. Ne po i vjelim frytet e këtyre përpjekjeve pikërisht sot, kur luftërat ndërsektare, siç po shihet, po shkatërrojnë shtete të tëra”, ka theksuar Patriarku i Jerusalemit,
Studimi dhe projekti i restaurimit, i cili është hartuar nga Universiteti Teknik i Athinës, është pranuar nga të gjitha palët e përfshira.
Restaurimi pritet të zgjasë rreth tetë muaj dhe punimet të përfundojnë në fillim të vitit 2017. Por, Bazilika e Varrit të Krishtit do të qëndrojë e hapur për vizitorë edhe gjatë kohës që do të kryhen punimet, transmeton Jutarnji list.
Pelegrinëve që e vizitojnë varrin e Krishtit u bën përshtypje të jashtëzakonshme fakti se, për shkak të grindjeve ndërmjet të krishterëve, çelësat e bazilikës i mbajnë dy familje muslimane, qysh prej kohës së Saladinit, Judehit dhe Nuseibeh. Ato e hapin bazilikën çdo mëngjes, në mënyrë ceremoniale, dhe e mbyllin çdo mbrëmje, po ashtu në mënyrë ceremoniale.
(Ramadan Muçolli, Illyria)