Albspirit

Media/News/Publishing

Rama, ky klloun që na bëri gazin e botës

 

Andi Bushati

 

Dje dhe sot, teksa shihja një video të shpërndarë anekënd në rrjet, ku Edi Rama bën rolin e kllounit, duke u prezantuar kavajasve “kriminelin” Elvis Roshi, mu kujtua një zotim që ish aspiranti për kryeministër u bënte të afërmve të tij para zgjedhjeve të vitit 2013.

Në tryeza pas darke, në biseda konfidenciale, ai merrte pozën e një artisti ëndërrimtar dhe shpaloste përpara dëgjuesve “Shqipërinë fantastike” që kishte në mendje: Një vend që do të bëhej pikë referimi për artistët avangardë, një vend ku mund të eksperimentoheshin rrymat më tendencë të kohës, ku do të ekspozoheshin veprat më të çuditshme të botës.

Ai u fliste bashkëbiseduesve gjatë dhe me një zë ëndërrimtar, që i ndërthurrur me sëmundjen e tij të pashërueshme për të tërhequr vëmendjen, me çdo çmim, mund  t’i bënte ata të imagjinonin një atdhe tjetër, epiqendër kulturore të një bote që kish hyrë në shekullin e ri.

Nënteksti qe i qartë. Vendit i duhej një kryeministër artist, një njeri që do i shëronte plagët çerekshekullore jo vetëm me rritje ekonomike, por edhe me penel, jo vetëm me shtim investimesh por edhe me ripërtëritje shpirtërore, jo vetëm me polici por edhe me art.

Ky atdhe i ri nuk do të qe më vendi që bota e njihte për vrasjet politike, sherrnajën e pafundme, drogën, prostitucionin dhe krimin, por një atelie gjigande drejt së cilës mediat perëndimore do të kthenin sytë, ashtu sikurse kishin bërë dikur me bojatisjen shumëngjyrëshe të fasadave të rrënuara të Tiranës.

Nuk e di pse mu kujtua ky zhgënjim i fundëm nga ëndrra e “Rilindjes” kur pashë e ripashë me dhjetra herë, atë videon e Edi Ramës që i fton socialistët e rinj të Kavajës të anëtarësohen në partinë e tij, duke thirrur në skenë Elvis Roshin (Video qe nuk duhet humbur shiko poshte).

Nuk e di pse mu kujtuan ato fjalë tek e kqyrja të bënte një humor kaps, nëse njeriu që kishte në krah quhej Elvis apo Ervin.

Nuk e di pse bëra një asocacion neveritës kur e shihja që të përbetohej me sarkazëm se kavajsi i tij nuk prekej nga ligji i sapomiratuar i dekriminalizimit.

Po, kishte diçka të përbashkët në këto dy histori.

Kishte një aftësi të dallueshme aktrimi. Por ajo nuk ngjante aspak me ëndrrën ndjellëse të kandidatit të dikurshëm për kryeministër. Ajo vizatonte më tepër profilin e një kllouni të dalë boje.

Sepse me aftësinë e një kllouni, Edi Rama po mundohet t’i përballojë të gjitha njollat e zeza të qeverisjes së tij.

Kështu ka vepruar edhe kur Mark Frroku dhe Armando Prenga përfunduan në burg, edhe kur Arben Noka iku nga parlamenti, me siguri kështu do të sillet edhe kur të dalin emrat e kriminelëve të tij të rinj.

Sepse kështu është sjellë gjithmonë.

Edhe teksa parodizon ata katundarë me mjerimin e të cilëve tallet live në TV, ndërsa u dorëzon çertifikatat e legalizimeve.

Edhe teksa flet me ironi për votat e munguara të atyre aktivistëve që duan të ruajnë ato pak lulishte që po gllabërohen nga klientët e tij.

Edhe teksa i quan si gjuetarë mushkonjash ata që denoncojnë avionët e drogës që ulen në bregdetin shqiptar.

Edhe teksa ironizon mëmësinë e zonjave gazetare që i bëjnë pyetjet e duhura, të cilave ai nuk u përgjigjet dot.

Dhe kjo histori përsëritet.

Sepse me sa duket Edi Rama ka vendosur ta qeverisë Shqipërinë si një klloun që jep shfaqe live në TV.

Po ndërkohë skandalet vazhdojnë të ndodhin.

Trafikantët e drogës largohen në drejtim të paditur.

Policia fsheh gjurmët e aleatëve politikë të shumëkërkuar në perëndim.

Gazetarët e huaj kanë filluar të shtojnë reportazhet dhe investigimet për trafikun e armëve dhe të drogës.

E kur ndonjëri prej tyre tenton ta pyesë për atë që po ndodh, kryeministri nervozohet dhe skërmit dhëmbët.

Sepse hendeku mes asaj që propogandoi dhe asaj që prodhoi është katastrofik.

Shqipëria fantastike që kërkonte të shiste si vitrinë, sot është vendi i krimit, hashashit dhe bandave që po mbysin faqet e shtypit perëndimor.

Rilindja e ëndrrave u shndërrua shumë shpejt në ripërsëritjen e batakut. Aq sa dhe vetë Rama nuk mund ta përballojë këtë zhgënjim.

Ndoshta prandaj, nga mosballafaqimi me të, ai ka vendosur të sillet si klloun. Ashtu si tek ajo videoja me të dashurin e tij kavajas, që gjithkush duhet ta rishikojë dhe njëherë./lapsi.al/ 

Please follow and like us: