SHBA: anketë e re për kandidatët presidencialë
Një anketë e re tregon se votuesit amerikanë nuk besojnë se kandidati republikan për president, Donald Trump do të ketë sukses në planin e tij për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit meksikan dhe se ata nuk mendojnë që kandidatja demokrate për president, Hillary Klinton, do të arrijë të frenojë përdorimin e parave të fshehta në politikë apo do të kufizojë fuqinë e Wall Street-it.
Sipas sondazhit të Universitetit Quinnipiac, 39 për qind e votuesve mendojnë se zoti Trump, nëse zgjidhet, do të përpiqet por do të dështojë në planin e tij për të ndërtuar një mur; 45 për qind mendojnë se ai do të përpiqet për deportimin e 11 milionë emigrantëve të paligjshëm, por nuk do të ketë sukses.
Gjashtëdhjetë e tre për qind e votuesve besojnë se zonja Clinton as që do të përpiqet për të penguar hyrjen e parave të fshehta në politikë, ndërkohë që 18 për qind pohojnë se ajo mund të përpiqet, por ka më shumë gjasa të dështojë.
Një çështje në të cilën zonja Clinton paraqitet më mirë është reduktimi i borxhit të studentëve në kolegjet dhe universitetet publike. Njëzet e dy përqind e votuesve amerikanë thonë se ajo do të përpiqet dhe do të ketë sukses, ndërsa 32 për qind thonë se ajo do të përpiqet, por do të dështojë.