Si hetimi i Flamur Nokës zbuloi se edhe Gramoz Ruçi është agjent i shërbimeve serbe
Partia Socialiste i është drejtuar zyrtarisht Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë me një kërkesë për hetimin e vetëdeklarimit të rremë deputetit të PD-së Flamur Noka, duke i kërkuar të hetojë mbi fshehjen prej tij të faktit të rekrutimit nga shërbimi i fshehtë jugosllav në mars 1991.
Kjo çështje nisi pasi Mero Baze publikoi në gazetën e tij “Tema” një dokument për të cilin thotë se është një faqe nga proces verbali (transkripti) i marrjes në pyetje të Flamur Nokës në Policinë e Kukësit në mars 1991, për veprimtarinë e tij, pas deportimit të këtij të fundit nga autoritetet jugosllave në vendkalimin kufitar të Morinit. Sipas përmbajtjes së këtij dokumenti del se Noka ka pohuar para autoriteteve policore shqiptare që ka nënshkruar një marrëveshje sekrete për t’ u bërë bashkëpunëtor i UDB-së, në këmbim të lirimit të tij nga burgu. Pasi ka bërë këto pohime, Flamur Noka është lënë i lirë nga Policia e Kukësit.
Këtë dokument Mero Baze nuk kishte se ku ta gjente tjetër përveçse në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku për këto lloj dokumentesh nuk mund të ketë qasje një gazetar në bazë të Ligjit për Lirinë e Informimit. Pra, është Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, ai i cili ia ka ofruar këtë dokument Mero Bazes. Megjithatë problemi nuk është aspak këtu, por diku tjetër.
Nëse Flamur Noka ka nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim me shërbimin e fshehtë jugosllav në 1991, ai nuk mund ta ketë bërë këtë me UDB, sepse emërtimi UDB nuk ekzistonte më që nga viti 1966, kur Tito eliminoi Rankoviçin, Ministrin famëkeq të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, dhe me këtë rast ia ndryshoi emrin shërbimit të fshehtë në SDB.
Zyrtarët e shërbimit të fshehtë jugosllav në Prizren, nuk ishin skizofrenë që të shkruanin në dokumente fjalën “UDB” në mars 1991. Ata nuk mund të kenë shkruar fjalë tjetër veç asaj SDB dhe Flamur Noka ka nënshkruar për bashkëpunim me SDB. Pyetja është se përse kur Flamur Noka u mor në pyetje nga autoritetet shqiptare, pas kthimit në Kukës, ai thoshte “SDB” dhe zyrtarët e shtetit shqiptar, të specializuar për kundërspiunazh, shkruanin “UDB”.
Flamur Noka nuk mund të jetë marrë në pyetje nga Policia, siç thotë Mero Baze, sepse ky ishte një problem i kundërspiunazhit. Në atë kohë ekzistonte ende Sigurimi i Shtetit dhe këto çështje i përkisnin atij. Meqënëse Kukësi ishte një rreth kufitar, në Degën e Punëve të Brendshme në Kukës, siç quhej në atë kohë, ekzistonte pranë degës lokale të Sigurimit të Shtetit sektori i kundërspiunazhit, që ndiqte agjentët e huaj. Ky duhet ta kishte marrë në pyetje Flamur Nokën.
Arsyeja për të cilën në mars 1991, Flamur Noka thoshte SDB, nëse dokumenti del i vërtetë, dhe Sigurimi i Shtetit shkruante UDB, ishte se Enver Hoxha i kishte dhënë një udhëzim të fshehtë Ministrisë së Punëve të Brendshme, posaçërisht Sigurimit të Shtetit, si dhe Prokurorisë së Përgjithshme dhe Gjykatës së Lartë, e cila kishte në varësi gjykatat e të gjitha shkallëve në vend, që në të gjitha hetimet, akt-akuzat dhe vendimet gjyqësore ndaj atyre që quheshin agjentë jugosllavë, të mos figuronte emërtimi i vërtetë i shërbimit të fshehtë jugosllav, por ai i vjetër UDB. Dhe ekzistenca e këtij udhëzimi të fshehtë vërtetohet nga mungesa e fjalës “SDB” në të gjithë dokumentacionin për ndjekjen e agjenturës jugosllave në Shqipëri nga organet e mësipërme. Kjo nuk kishte kuptim tjetër përveç atij që Enver Hoxha i thoshte Beogradit se unë po bëj një luftë të rreme propagandistike ndaj agjenturës jugosllave në Shqipëri. Edhe kur “analizon” ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë dhe vdekjen e Mehmet Shehut në qesharaken Tablo Sinoptike në librin “Titistët”, Enver Hoxha flet gjithandej vetëm për UDB! Argumenti se ky emër ishte bërë i njohur në popull nuk ka vlerë.Kur udhëheqësi i një vendi ngre akuza, madje shumë të rënda ndaj një vendi fqinj, duhet të jetë i vetëdijshëm se akuzat bëhen të pabesueshme dhe qesharake qëkurse ai i referohet shërbimit të fshehtë të vendit përkatës me emrin që kishte pasur shumë vite më parë. Kllouni politik Enver Hoxha i cili nuk kishte arritur që të zbulonte gjatë 15 viteve as emrin e ri publik të shërbimit të fshehtë jugosllav, mëtonte se kishte zbuluar konspiracione të mëdha të këtij shërbimi në Shqipëri deri në nivelin më të lartë partiak-shtetëror!
Në Partinë Socialiste këto ditë flasin të gjithë për këtë historinë e Flamur Nokës. Por hesht vetëm burri kompetent, Ministri i plotfuqishëm i Punëve të Brendshme të asaj kohe, shefi i fundit i Sigurimit të Shtetit në Shqipëri, deputeti dhe numri 2 i PS-së, shoku Gramoz Ruçi. Gramoz Ruçi kur u bë Ministër i Punëve të Brendshme në shkurt 1991, ashtu si paraardhësit e tij ripërtëriu për vartësit e tij udhëzimin verbal se nuk duhej përmendur zyrtarisht emri i shërbimit të fshehtë jugosllav por duhet të vazhdonte të quhej UDB. Mbi bazën e këtij udhëzimi të ripërtërirë, një muaj më pas, Policia apo Kundërspiunazhi në Kukës, shkruanin UDB kur Flamur Noka thoshte SDB.
Askush nga media, asnjë gazetë, asnjë televizion, asnjë portal nuk i adreson pyetje Gramoz Rucit për këtë cështje. Arsyeja? Kuptohet, nëse një gazetari do t’ i shkojë në mendje të pyesë Gramozin për këtë cështje, duhet të kërkojë leje te shefi, kryeredaktori apo drejtori. E këta duhet të kërkojnë leje te pronari. Por kush jep leje për këtë kur Shoku Gramoz di sekrete nga koha e Sigurimit të Shtetit për të gjithë pronarët e gazetave, televizioneve, portaleve, për familjet e tyre.
Prokuroria e Përgjithshme sot nuk mund të mos hetojë këtë anë të çështjes së Flamur Nokës. Dhe kjo çështje shkon edhe përtej Gramoz Ruçit, sepse ai udhëzimin verbal për mospërmendjen e emrit të vërtetë të shërbimit të fshehtë jugoslla e dha për shkak se partia të cilit i përkiste ai, kishte lindur si agjente e Partisë Komuniste të Jugosllavisë në 1941, kur ishte krijuar nga dy të dërguarit komunistë serbë Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha.
Nëse ikën Flamur Noka dhe mbetet Gramoz Ruçi kjo do të thotë që të ikë agjenti-ushtar i SDB-së në Shqipëri dhe të mbetet gjenerali i saj. Por edhe nëse ikin të dy përsëri problem mbetet partia e cila edhe sot në 2016, në versionin PS, zbaton udhëzimin e fshehtë verbal të Enver Hoxhës dhe nuk thotë SDB por UDB, kur i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm që të hetojë mbi vetëdeklarimin e rremë të Flamur Nokës. Kjo tregon se Edi Rama ka marrë të njëjtën lidhje si Enver Hoxha në Beograd. Unë do t’ i dërgoj një letër Prokurorit të Përgjithshëm që t’ i kërkoj të hetohet Gramoz Ruçi mbi udhëzimin që të mos përmendej emri i shërbimit të fshehtë jugosllav.