Botuesi dhe gazetari Carlo Bollino e ka konsideruar bllof prononcimin e Artur Zhejit dje në mbrëmje, ku artikuloi se kishte parë sekuenca filmike të video-skandalit intim të një ministri, video e cila ende nuk është publikuar. Përmes një reagimi, Bollino shkruan se Zheji tentoi të marrë disa klikime më shumë, ndërsa shton se edhe fotot për regjistruesin në zyrën e Ministrit Tahiri të paraqitura nga ABC News nuk tregojnë një regjistrues, por një qark të shkurtër i cili shërben si rregullator i energjisë elektrike në banesa.
“Pas fotove bllof, të paraqitura dje në darkë nga Artur Zheji në një televizion kombëtar, duke i prezantuar si pamjet e para të nxjerra nga një seks-video hipotetike, me të cilën opozita po përpiqet prej disa ditësh të shantazhojë qeverinë, sot i njëjti televizion transmetoi një foto blof të dytë. Kësaj here bëhet fjalë për çimkën e gjetur në zyrën e sekretares së ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Pikërisht si edhe në rastin e fotove false të Zhejit, edhe fotot e ABC News-it janë të rreme: ajo, çka televizioni e paraqet si një çimkë, në të vërtetë është një qark i zakonshëm i integruar, që kushton pak më shumë se një euro dhe që shërben për të rregulluar tensionin e energjisë elektrike për elektroshtëpiaket në banesa. Kjo është sikur të tregosh një rrotë automjeti dhe të thuash: ja makina!”, shkruan Bollino.Ai thekson se problemi nuk qëndron aq në faktin se ndonjë gazetar është i gatshëm për të sajuar scoop-e, vetëm e vetëm që të fitojë sadopak shikueshmëri, apo për të rritur ndonjë klikim të portalit të tij, por është pak më i gjerë se kaq.“Problemi i vërtetë është tek obeziteti informativ, që po përjeton Shqipëria, mjafton një shpifje e një njeriu të vetëm për t’u transformuar në një lajm me përmasa kombëtare: kjo, pasi ajo shpifje kopjohet dhe riprodhohet në qindra media të tjera, të cilat, në mungesë të gazetarëve të vet, gjithnjë gjuajnë lajme të prodhuara nga të tjerë. E, më pas, kush nga lajmet është i vërtetë e kush jo, nuk i bëhet vonë kujt”, thekson Bollino.