Raporti – DASH: Shqipëria pengohet nga korrupsioni dhe drejtësia e dobët
Shqipëria ka qene përkrahëse e përpjekjeve kundër terrorizmit në vitin 2015 dhe vazhdoi pjesëmarrjen në Koalicionin Global për të luftuar Shtetin Islamik, duke dhuruar sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh për forcat Peshmerga në Irakun Verior.
Kështu e ka vlerësuar Departamenti Amerikan i Shtetit vendin tonë në raportin vjetor për terrorizmin. Në raport vlerësohet edhe ana e lisgjislacionit, ku thuhet se Shqipëria parashikon dënime për aktet e terrorizmit, financimin e terrorizmit, grumbullimin, transferimin dhe fshehjen e fondeve që financojnë terrorizmin; transaksionet me personat në listën e sanksioneve të OKB-së; rekrutimin dhe stërvitjen e personave për kryerjen e akteve terroriste; dhe ngritjen, udhëheqjen dhe pjesëmarrjen në organizata terroriste.
Departamenti nuk ka harruar të theksojë nivelin e lartë të korrupsionit në vendin tonë dhe sistemin e dobët të drejtësisë, të cilët pengojnë përpjekjet për të vendosur rend në të gjitha nivelet në Shqipëri.
Kurse në Kosovë kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm islamik është rritur gradualisht që nga konflikti i vitit 1999, i nxitur pjesërisht nëpërmjet financimit nga organizatat e huaja që predikojnë ideologji ekstremiste.
Raporti thotë se rreth 250 nga 300 luftëtarë të huaj terroristë nga Kosova kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për të luftuar për ISIS-in ose Frontin el-Nusra, nga të cilët rreth 50 janë vrarë.
Duke vlerësuar kornizën ligjore gjithëpërfshirëse që mbulon të gjitha aspektet penale që lidhen me terrorizmin, raporti thotë se autoritetet nuk kanë pasur përvojën e duhur në trajtimin e rasteve të terrorizmit dhe shkëmbimi i informacioneve mes agjencive të ndryshme mbetet një sfidë.
Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson se shteti islamik vazhdon të jetë kërcënimi më i madh në shkallë globale, por që aktualisht po behet gjithnjë e më i decentralizuar duke përhapur tentakulat në rajone, përfshirë Azinë Juglindore, Kaukazin Verior në Rusi dhe Afrikën.