Albspirit

Media/News/Publishing

Si e zbuloi sekretarja përgjuesin në zyrën e Tahirit

Pas shumë informacionesh kontradiktore, të enjten prokurori i përgjithshëm ka hequr çdo dyshim lidhur me dosjen hetimore të përgjimeve te supozuara nga Interforca.

Prokuroria nuk ka në zhvillim asnjë hetim mbi veprimet e policisë italiane, në kuadër të hetimeve që Prokuroria e Tiranës po zhvillon për ekzistencën e një pajisjeje të dyshuar përgjuese.

Por afera e përgjimeve duket se ka marrë edhe një tjetër zhvillim të papritur. Burime nga prokuroria i kanë konfirmuar Top Channel se njësia task forcë në Prokurorinë e Tiranës ka marrë në dorë kallëzimin e një punonjëseje të Ministrisë së Brendshme për një pajisje të konstatuar në paradhomën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Denoncuesja, e cila është e punësuar si sekretare në paradhomen e ministrit të Brendshëm, ka deklaruar se e ka zbuluar aparaturën pranë grirëses së letrave.

Hetimet kanë nisur prej 13 ditësh dhe drejtohen nga prokurori Ardian Braho. Grupi hetimor është në pritje të një përgjigjeje të ekspertëve të kriminalistikës për këtë aparaturë.

Dy pyetjet kryesore për të cilat prokuroria e kryeqytetit pret përgjigje janë: çfarë marke është kjo aparaturë? Dhe, sa është perimetri në të cilin pajisja konsiderohet funskionale?

Prokuroria dyshon paraprakisht se pajisja është e një natyre transmetues analog, që përdoret për të transmetuar material audio në një vend tjetër.

Por pyetja së cilës vështirë t’i jepet përgjigje është fakti se regjistrimi i kallëzimit të sekretares së Tahirit është bërë në të njëjtën ditë dhe thuajse në të njëjtën orë kur ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi saktësisht të njëjtin lajm në profilin e tij në Facebook, më datë 20 maj.

Prokuroria nga ana e saj deklaron se e ka regjistruar çështjen për dyshimet e shpërdorimit të detyrës, pasi ka dyshime se ajo mund të jetë instaluar nga punonjës të këtij institucioni, ndërkohë që pritet të kryhet edhe këqyrja e kamerave, përmes të cilave shpresohet të identifikohen personat e përfshirë. /Top Channel

Please follow and like us: