Fakte interesante nga jeta e Muhammad Ali
Muhamed Ali, tre herë kampioni i botës për peshat e rënda, ka disa fakte dhe histori të çuditshme.
Ai ka luftuar me krokodilët, është përballur me një balenë. Ai ka futur rrufenë në burg. Ai është Muhamed Ali, një nga figurat më të famshme të shekullit 20.
Tre herë kampioni i botës për peshat e rënda ka disa fakte dhe histori të çuditshme. Njeriu që tronditi botën është vetëshpallur “The Greatest” (më i madhi). Si asnjë sportist tjetër Ali tronditi botën me mënyrën e boksimit në peshat e rënda, sukseset e të cilit patën një jehonë të madhe duke e bërë atë një nga sportistët më të mëdhenj të shekullit të 20-të.
E filloi karrierën në ring në moshën 21-vjeçare dhe u shpall kampion bote pas rreth 10 vitesh. Ai është një nga sportistët e parë që e ka fituar këtë titull tre herë. Ai ishte aktiv prej vitit 1960 deri 1967 dhe prej 1970 deri 1981.
Gjatë karrierës arriti të bëhet boksieri më i mirë në kategorinë e tij dhe llogaritur sipas pikëve është boksieri më i mirë i të gjitha kohërave me 1,971 pikë. Nga 61 ndeshje boksi ai ka arritur 56 fitore (36 me nokaut) dhe 5 humbje.
1. Një biçikletë e vjedhur inspiroi Muhamed Alin në karrierë
Muhamed Ali ishte një 12-vjeçar i cili ishte në kërkim të hakmarrjes. Ishte tetor i vitit 1954, dhe Ali (akoma i njohur me emrin Kasius Klej) kishte një biçikletë të kuqe të tipit Schwinn. E kishte marrë dhuratë nga babai i tij për Krishtlindje. Një ditë kur Ali doli në pazarin e qytetit Lousville duke bërë xhiro, kur ndaloi për të blerë disa kokoshka, vuri re më pas që biçikleta nuk ndodhej më aty. Me lot në sy u drejtua tek palestra e zonës, duke kërkuar Joe Martin, një polic që ishte dhe trajner boksi. Ai i shpjegoi situatën Martinit, dhe kërcënoi se do ‘zhdukte’ këdo që i kishte vjedhur biçikletën. Duke parë shqetësimin e djaloshit të vogël, Martin e këshilloi që “para se të luftonte me dikë duhet të mësonte të luftonte”. Martin i dha atij një aplikim për t’u futur në palestër. 6 javë më vonë, Ali fitoi ndeshjen e tij të parë, duke mposhtur një fëmijë me emrin Ronny O’Keefe. Martin i mësoi Muhamed Alisë bazat e boksit, dhe sëbashku fituan 6 tituj Dorashka e Artë, 2 tituj kombëtarë, dhe një medalje ari në Lojërat Olimpike të Romës në vitin 1960. Sigurisht që Ali nuk e mori kurrë mbrapsht biçikletën e tij, por nëse do ta takonte një ditë hajdutin do t’i jepte dorën në shenjë falenderimi.
2.Kishte frikë nga fluturimet
Kur Ali do të shkonte në Lojërat Olimpike të Romës 1960, ai mori vesh se do të fluturonte atje. I terrorizuar, 18-vjeçari kërkoi që rrugën ta bënte me anije. Por kjo ide iu refuzua kështu që Muhamed Ali vendosi të hiqte dorë nga Lojërat Olimpike, sepse nuk e shikonte të arsyeshme të humbte jetën si pasojë e një aksidenti ajror vetëm për një medalje ari. Trajneri i tij, Joe Martin arriti ta bindte, por prapëseprapë Muhamed Ali veshi një parashutë gjatë gjithë rrugës për në Itali. Disa thonë se ai lutej tërë kohës. Kur u kthye në SHBA ai bleu një autobus për udhëtimet e ardhshme dhe thoshte se “kur një autobus prishet, nuk bie nga qindra metra lartësi”. Deri vonë Ali deklaroi se kishte arritur ta mposhte këtë frikë, dhe se Allahu nuk do ta linte të vdiste në një aksident ajror. Vajza e tij ka thënë: “E vetmja herë që e kam parë babain të frikësuar ishte kur po fluturonim në ajër dhe avioni filloi të tundej”.
3. Ai nuk e hodhi medaljen e arit
Sipas miteve amerikane, Muhamed Ali duhet ta kishte hedhur medaljen Olimpike në lumin Ohajo. Por ai nuk e bëri këtë gjë. Ali mposhti boksierin polak Zbigniev Pietrivoksi dhe fitoi medaljen e arit për peshat e lehta në Lojërat Olimpike të vitit 1960. Më pas ai e vishte medaljen e tij ngado që shkonte, tepër krenar për arritjet e tij. Por më vonë zbuloi se fitorja e tij kishte disa implikime. Një ditë, me medaljen në qafë, Ali shkoi në një restorant vetëm për njerëzit e bardhë. Aty iu tha se nuk i shërbehej zezakëve. Atë e përzunë dhe gjërat morën një kthesë fiktive. Sipas autobiografisë së Muhamed Alisë, ai kishte shkuar në lumin Ohajo dhe e kishte hedhur medaljen në ujë. Por vite më vonë, ai u tha reporterëve se nuk e dinte ku e kishte vendosur medaljen e tij. Fatmirësisht, Alisë iu dha një zëvendësim në Lojërat e Atlantës së vitit 1996 ku ai ndezi pishtarin olimpik. Në vitin 1975 Ali ishte anëtar i Kombit të Islamit (NOI), një grupi që predikonte për superioritetin e zezakëve dhe i konsideronin të bardhët djaj. Libri i politizuar i Alisë mbronte axhendën e NOI-t. Por nuk mund të fajësojmë Alinë. Si njeri me ngjyrë, ai u trajtua si një qytetar i dorës së dytë. Shumë reporterë refuzuan ta quanin atë Muhamed Ali, por e thërrisnin me emrin e tij Kasius Klej.
4. Trajneri i Alis bëri hile
Kur njerëzit përmendin fjalën “Muhamed Ali” dhe “mashtrues” në të njëjtën fjali, ata zakonisht e kanë fjalën për kundërshtarin e tij Sonny Liston. Liston thuhet se hodhi vaj në dorezat e tij gjatë ndeshjes me Alinë, që e verbuan përkohësisht këtë të fundit. Por edhe në ndeshjen kundër boksierit anglez Henry Copper u konstatua një hile, por këtë rradhë nga ana e stolit të Alisë. Ishte data 18 qershor 1963, dhe ndeshja zhvillohej në stadiumin Wembley, me stolat të mbushur plot me fansa dhe njerëz të famshëm. Ali nuk po ndjehej mirë atë natë, dhe në raundin e katërt mori një goditje nga Henry Cooper për të cilën Ali tha se “goditja ishte aq e fortë sa e kishin ndjerë dhe paraardhësit e tij në Afrikë”. Fatmirësisht për të raundi mbaroi para se gjyqtari të fillonte numërimin. Por papritur gjërat filluan të bëheshin të dyshimta. Koha mes raundeve zgjati shumë, ndoshta 4-5 minuta pushim. Kjo bëri që Ali të rigjente energjitë e duhura. Mbase kjo ndodhi ngaqë trajneri Angelo Dundee i afroi tek hunda kripë në mënyrë që Ali ta nuhaste. Në Angli kjo gjë nuk lejohej. Kur ra zilja për të filluar raundi i pestë, Ali i dha një goditje të fortë Cooper-it dhe i dha fund ndeshjes.
5. Ali muzikanti
Ndërsa Ali ishte i njohur për aftësitë e tij në poezitë profetike, ai kishte dhe një talent të fshehur që shumë pak vetë janë në dijeni. Pak kohë pas ndeshjes së parë me kampionin Sonny Liston, Ali lançoi albumin e parë me Columbia Records të titulluar “Unë jam më i madhi”. Albumi përmbante poezitë e tij. Por albumet e tij nuk arritën sukses të madh. Kjo për shkak të konvertimit fetar dhe ndryshimit të emrit. Edhe kompania Columbia Records i prishi lidhjet me të. Të gjitha albumet e Alisë u hoqën nga dyqanet sa më shpejt të ishte e mundur. Kjo gjithsesi nuk i dha fund aspiratës muzikore të Alisë. Në vitin 1976, kampioni lançoi këngën “Ali kundra prishjes së dhëmbëve” në të cilën ai u mësonte fëmijëve higjienën dentare. Ai kishte miq shumë njerëz të famshëm të cilët e ndihmuan, si për shembull Frank Sinatra.
6. Ali i shpëtoi jetën dikujt
Los Anxheles 1981. Një 21 vjeçar hipi në katin e nëntë të një pallati dhe kërcënonte se do të vriste veten duke u hedhur. Oficerët e policisë nuk arrinin ta bindin që të ulej poshtë, ndërsa turma e njerëzve bërtisnin që ai të hidhej. Gjërat do të kishin marrë një rrjedhë tjetër nëse Muhamed Ali nuk do të shfaqej aty. Ish-boksierit kur iu shpjegua situata nuk ngurroi që të ofronte ndihmën e tij. Policët e paralajmëruan Alinë që personi mund të kishte një armë, por ai e shpërfilli këtë dhe mendoi se ishte një rrezik që duhej ndërmarrë. Ali iu afrua shumë afër djalit 21 vjeçar. Djaloshi u shokua kur pa sportistin më të famshëm të botës pranë tij. Për 30 minuta Ali i foli djalit për historinë e vështirë të jetës së tij. “Ti je vëllai im, unë të dua dhe nuk do të të gënjeja kurrë”, i tha Ali. Ai e bindi djaloshin të zbriste dhe e mori në limuzinën e tij Roller Royce. Boksieri i premtoi 21-vjeçarit se do ta ndihmonte të ndërtonte një të ardhme më të mirë. Pas kësaj situate Ali tha: “Për mua është më e rëndësishme të shpëtoj një jetë se sa të fitoj një kampionat”.
7. Boksieri kundër mundësit
Kur ne e mendojmë Muhamed Alinë si boksier, ka momente që na pëlqen t’i kujtojmë. Shkëmbimi i tij me Antonio Inokin, megjithatë është një nga kujtimet që i bën tifozët e Alisë të dridhen. Çdo gjë nisi kur Ali u takua me presidentin e Shoqatës Japoneze të Mundësve. Ali pyeti nëse ishte dikush nga Lindja që kërkonte ta sfidonte atë. Antonio Inoki pranoi sfidën. Mundësi Inoki kishte një karrierë të pasur në sportet si arte marciale, xhudo e mundje. Por tani, ai kërkonte t’i shtonte listës së tij të fitoreve edhe boksin. Ali e pranoi ndeshjen. Përballja u vendos të bëhej në zonën Budokan në Tokio. Kur Ali shkoi në Japoni, gjërat u bënë paksa të çuditshme, megjithëse historia ndryshon në varësi të atij që e tregon. Disa thonë se ndeshja ishte e fiksuar, dhe se Ali duhet të rrëzohej. Kur kampioni mori vesh këtë detaj ai refuzoi të ndeshej. Të tjerë thonë se ndeshja do të ishte thjesht një shou. Por kur mori vesh se Inoki e kishte seriozisht, ai vendosi ta rishqyrtojë situatën. Kampi i Muhamed Alisë vendosi disa rregulla. Inoki nuk duhet të përdorte këmbët në përballje. Por gjithsesi Inoki vazhdoi të luftonte sipas mënyrës së tij. Ndeshja u bë shumë interesante. Pas 15 raundesh me vetëm 6 grushta të Alisë dhe disa shkelmave të Inokit, gjyqtarët e vendosën ndeshjen barazim. Fansat filluan të hidhnin plehrat në ring dhe kërkonin paratë e tyre mbrapsht. Megjithatë, të dy (Ali dhe Inoki) u larguan me disa milionë dollarë më të pasur dhe u bënë shokë të ngushtë.
8. Ali magjistari
Ali gjithnjë dinte si ta hipnotizonte turmën. Gjithçka ai kishte nevojë ishte një shall ose një monedhë. Një nga numrat e shpejtësisë të preferuar nga ai ishte zhdukja e një shamie mëndafshi në ajër. Truku i tij i preferuar ishte ngritja përballë publikut. Ai kthente kurrizin nga audience, bashkonte këmbët dhe hidhej në tokë duke qëndruar pezull disa centimetra mbi qilim. Truku i tij ishte aq i bukur sa për të cilin e përgëzoi dhe vetë David Koperfildi. Por njerëzit nuk i gëzuan dhe për shumë kohë truket e Alisë sepse ai thoshte se mashtrimi nuk është diçka e mirë sipas Islamit. Muhamed Ali i shpjegoi të gjitha truket e tij se si ai i bënte. Truket e Alisë ishin një mjet për t’i treguar popullit se sa shpejt mashtroheshin ata.
9. Muhamed Ali vs Superman
Shumë figura të njohura të jetës reale janë vënë përballë Superman-it në librat komikë. Por asnjë nga ata nuk krahasohet me ndeshjen e Man of Steel vs The Greatest (Njeriu i Çeliktë kundër Më të Madhit). E krijuar nga Dennis O’Neil dhe Neal Adams dhe me aprovimin e mentorit të kampionit, Elijah Muhammad, libri komik “Superman vs Muhammad Ali” u lançua në vitin 1978. Kopertina gjigante përshkruante përballjen e Superman-it dhe Alisë në një stadium plot e përplot me fansa. Po të shikoni me kujdes ndeshjen po e shohin dhe figura të famshme si Lucille Ball, Kurt Vonnegut, Liberace dhe Frank Sinatra. Biles edhe Batman-i dhe Lex Luthor gjenden aty. Por pse do të përballeshin Ali dhe Superman sëbashku? Për të shpëtuar Tokën nga pushtimi alienëve sigurisht. Kur perandori i keq Rat’lar u shfaq në Metropolis, ai tha se do ta shkatërronte botën por kjo gjë s’do të ndodhte vetëm nëse dikush do ta mposhtte atë. Kur Superman dhe Ali dolën vullnetarë për të shpëtuar Tokën, perandori urdhëroi që ata të luftonin sëbashku, dhe fituesi do të ndeshej me kampionin më të mirë të perandorit Rat’lar, Hun’Ya. Natyrisht që një ndeshje mes Superman-it dhe Alisë do të ishte e padrejtë. Edhe pse Ali është një djalë muskuloz, ai nuk është më i fortë se një lokomotivë. Megjithatë të dy arritën një marrëveshje. Kriptoniani pranoi të bënte një ndeshje në një planet afër diellit të kuq, në mënyrë që të thaheshin superfuqitë e tij. Në këmbim Ali do t’i mësonte Njeriut të Çeliktë se si të boksonte. Pas një ndeshjeje brutale, Ali del fitimtar, kampioni i humanëve. Gjithsesi perandori djallëzor nuk kishte ndërmend ta mbante premtimin dhe planifikoi të pushtonte botën pavarësisht rezultatit. Por Ali dhe Superman e prisnin këtë gjë dhe thurën një plan. Pasi arritën të mposhtnin kërcënuesit e Tokës, Ali dhe Superman shtrënguan duart, me Muhamed Alinë që thoshte, “Ne jemi më të mëdhenjtë”.
10. Ai liroi pengjet nga Iraku
Në fillim të viteve 90’, diktatori irakian Sadam Hysein pushtoi Kuvajtin dhe ushtria amerikane u përgatit që ta përzinte atë. Në përgjigje të Amerikës, Hysein mori shumë pengje. Ai shpresoi që t’i përdorte ato si mburojë, kapi 2000 të huaj, 700 prej të cilëve ishin amerikanë. Negociatat për lirimin e tyre nuk po shkonin siç duhej. Në lojë hyri dhe Muhamed Ali. Pavarësisht brohoritjeve të publikut, kampioni po kalonte kohë të vështira. Ai hoqi dorë nga boksi në vitin 1981 pas humbjes poshtëruese me Trevor Berbick. Pastaj në vitin 1984 Ali deklaroi se vuante nga sëmundja Parkinson. 6 vjet më vonë, shkathtësia në të folur dhe në lëvizje e këtij njeriu nuk ekzistonte më. Megjithatë në shpirt ai ishte akoma një luftëtar dhe kur dëgjoi për situatën e pengjeve, vendosi të mos rrinte duarkryq. Mbi të gjitha, ai ishte myslimani më i famshëm në botë dhe mund të kishte ndikim në botën islamike. Kur Ali arriti në Bagdad, ai u çua në pallatin e Sadam Hyesin dhe harxhoi 50 minuta duke biseduar me diktatorin famëkeq. Meqë Ali kishte probleme në të folur, përdori edhe gjestet e duarve për të treguar qëllimin e vizitës së tij. “Unë kam ardhur më qëllim paqeje. Nuk jam këtu si politikan. Unë jam amerikan dhe gjithashtu jam mysliman”, këto ishin fjalët që Ali i drejtoi diktatorit. Ai gjithashtu i tha Sadamit se lirimi i pengjeve do të ishte një lëvizje e zgjuar, gjë që e bindi diktatorin të pranonte. Boksieri qëndroi edhe disa ditë të të tjera në Bagdad dhe refuzonte të largohej derisa pengjet të liroheshin. Sadam Hysein liroi 15 pengje amerikanë, të cilët ia dinin për faleminderit kampionit të boksit.